Nga rrënojat e luftës tek qëndrueshmëria, “Gratë e Trojës” me…
6 Nëntor, 2024
26.01.2022
Me energjinë pozitive gjatë përgatitjes për audicione ka vazhduar edhe dita e dytë e projektit “Mbështetje për Artin dhe Artistët e Rinj në Kosovën e Post Covid” me trajnimin për dizajnim/krijim të CV-së, Portfolios dhe për audicion muzikor.
20 artistë/e të rinj/reja në Hotel Parlament, dje (26 janar 2022), kanë shprehur mendimet e tyre se çfarë është e rëndësishme për një audicion, derisa kanë qenë kureshtarë të mësojnë edhe për audicionin muzikor, krijimin/dizajnimin e CV-së dhe të Portfolios.
Mënyra e qëndrimit para jurisë, frymëmarrja, përgatitja e më shumë zhanreve se që kërkohen në audicion, mësimi përmendësh i tyre, përgatitja për një kohë afatgjatë, gatishmëria e mbi të gjitha ruajtja e integritetit personal e profesional janë disa nga elementet që këta të rinj përmendën.
Drejtorja e Artpolis dhe themeluesja e Festivalit FemArt, Zana Hoxha, ka ndarë përvojat e saj me këta të rinj me theks të veçantë në menaxhimin e karrierës në aspektin afatgjatë, dhe përgatitjeve që duhet poseduar për të tejkaluar sfidat. Derisa edhe artistët e Trupës Artistike Rezidente përmes bashkëbisedimit me këta të rinj dhe shembujve të tyre se si kanë arritur të tejkalojnë sfidat ishin inspiruese për pjesëmarrësit.
Një CV dhe Portfolio e mirë përgatitur është ajo që mund të marrë vëmendjen e një jurie, apo punëdhënësi të caktuar. Ajo është pasqyra e parë e karrierës dhe punës së secilit, e dëshmisë së vazhdimësisë, por të gjitha elementet e shkruara duhet të mund të mbrohen nga personi nëse pyeten për to. Element tjetër me rëndësi të veçantë ishte edhe diskutimi mbi referencat që artistët mund të marrin e duhet t’i kenë nga bashkëpunuesit e tyre.
Dizajni i CV-së dhe Portfolios mund të krijohet e ndërtohet në forma të ndryshme, varësisht nga ajo se çfarë synojnë artistët të paraqesin. Një nga programet më praktike për dizajnimin e tyre është edhe Canva, për të cilën Elira Lluka, zyrtare për marrëdhënie me publikun në Artpolis, ka shpjeguar aspektet teknike që ofron ky program.
Kurse për përgatitjen për audicion muzikor trajnimin e ka mbajtur pianisti Alzan Gashi, i cili përveç shpjegimit të termeve muzikore që aktorët mund të hasin në një audicion e që kanë rëndësi të madhe, ka folur edhe për teknikat dhe format që artistët mund të përgatiten për një audicion muzikor.
Artistët/et e rinj/reja janë ndarë shumë të kënaqur me trajnimin dy ditor, duke theksuar se do të donin që trajnime të tilla të kishte më shpesh, pasi e shohin si të domosdoshme për ndërtimin dhe menaxhimin e karrierës së tyre.
Projekti “Mbështetje për Artin dhe Artistët e Rinj në Kosovën e Post Covid” realizohet nga Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, mbështetur nga SDC.
#Artpolis #Art #Community #Support #Young #Artists #Kosovo #sdc