
“Shpirti” – një udhëtim skenik i shërimit shpirtëror
30 Prill, 2025
28.04.2025
Mbrëmë, 28.04.2025, në skenën e Teatrit Oda në Prishtinë, u dha premiera e shfaqjes “Dream On”, me regji nga Danilo Jovanović, një krijim që guxoi të përballet me realitete të dhimbshme dhe të heshtura që rëndojnë mbi jetët e grave sot.
Performanca solli një ndërthurje të ironesë, emocioneve të shtypura e dhunës sistematike të patriarkatit ndaj grave.
“Dream On” depërtoi në thellësinë e përvojës së grave në shoqëri, duke e zbërthyer presionin për të qenë “e butë”, “e sjellshme”, “e bukur” dhe “jo shumë emocionale”.
Qysh nga momentet e para, publiku u përball me një klimë emocionale të mbingarkuar – jo nga dramatizimi i tepruar, por nga një sinqeritet i zhveshur nga mburojat që zakonisht gratë detyrohen të veshin. “Pse po qan aq shumë?”, “Shumë po e dramatizon!” – janë disa nga frazat që dëgjohen shpesh në jetën e përditshme dhe që shfaqja i përdor për të demaskuar sesi emocionet e grave përqeshen. Kjo lloj shtypje emocionale, shpesh e përjetuar që nga fëmijëria, prodhon pasoja të rënda në mirëqenien mendore të vajzave dhe grave, një temë që trajtohet me ndjeshmëri dhe ironi të hollë në këtë vepër.
Nëpërmjet një strukture të fragmentuar dhe poetike, personazhet e shfaqjes, të inskenuara nga aktoret Helena Araújo dhe Diana Stecker, kalojnë nga euforia e rreme e rrjeteve sociale, ku ndjekja e një bukurie ideale dhe e “pëlqimeve” në botën virtuale shndërrohet në obsesion që shkatërron njerëzit, në përçartjet e heshtura të një vajze që vrapon e agjëron për t’u bërë si Lena, shoqja “e bukur, e famshme dhe e pëlqyer” nga shoqëria. Është kjo përpjekje për të qenë e pranueshme – për të qenë “e dëshirueshme” sipas standardeve të jashtme – që e çon trupin dhe mendjen drejt rrënimit.
Këto skena ndërpriten nga momentet kur zërat mashkullorë shpërfaqin pushtetin mbi gratë: “Ti nuk di as trangujt me i pre si duhet!”, “Unë jam burri në jetën tënde!” – janë rreshta që tingëllojnë njëherazi groteskë dhe realë, të afërt dhe universalisht të njohur. Përmes këtyre imazheve të dhunës psikologjike dhe kontrollit, regjisori na sjell në qendër të shtypjes së përditshme që shumë gra përjetojnë nga partnerët e tyre, shpesh nën maskën e dashurisë apo kujdesit.Shfaqja kulmon me një sekuencë të ftohtë, dokumentare, ku statistikat për femicidin – vrasjen e grave për shkak të gjinisë – ekspozohen para audiencës me fakte tronditëse. Kjo pjesë e fundit shërben si një zgjim i dhimbshëm pas një “ëndrre” të shtrembëruar nga romantizimi, manipulimi emocional, idealet toksike të bukurisë dhe dhunës sistematike.
“Dream On” nuk ofroi përgjigje të lehta, por pyetje që mbesin pezull në mendjen e spektatorit. E mbështetur në një estetikë të thjeshtë vizuale, të thelluar përmes humorit të errët dhe fragmenteve poetike, kjo shfaqje ishte një pasqyrë e asaj që shoqëria i bën gruas – nga veshjet e detyrueshme të butësisë e deri te heshtja vdekjeprurëse e femicidit.
Kjo shfaqje teatrore është prodhuar në kuadër të projektit UNMASC – promovimi i drejtësisë gjinore përmes teatrit, me mbështetjen e BE-së dhe BMKÖS.