Nga Skena te Ndërgjegjësimi: “Prapa Ekranit” përballë Dhunës Online në…
18 Dhjetor, 2025
Mësim Jo Ngacmim Panelet e Diskutimit
15 Dhjetor, 2025

10.12.2025
Në përmbyllje të Fushatës Globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Bazë Gjinore” dhe në shënim të Ditës Botërore të të Drejtave të Njeriut, më 10 dhjetor 2025, Artpolis organizoi panel-diskutimin “Du Studime, Pa Ngacmime”, në bashkëpunim me Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” dhe me mbështetjen e UNFPA-së.
Paneli u mbajt në amfiteatrin e Fakultetit Ekonomik të UPZ-së dhe mblodhi gra profesioniste dhe aktiviste që ndajnë një vizion të përbashkët për universitete të sigurta, dinjitoze dhe pa ngacmime seksuale, përpara një audience të gjerë të përbërë nga studentë/e dhe staf akademik i Universitetit të Prizrenit.
Në panel morën pjesë: Prof. Asoc. Dr. Vjollca Dibra, Dr. Ariana Qosaj-Mustafa, Prof. Ass. Dr. Adelina Rakaj, znj. Tringa Kasemi dhe znj. Liridona Osmanaj, ndërsa diskutimi u moderua nga Venera Ismaili.
Biseda u fokusua në procesin e hartimit të rregulloreve kundër ngacmimeve seksuale, sfidat juridike dhe institucionale, rolin e shoqërisë civile, si dhe domosdoshmërinë e ndërtimit të një kulture me zero tolerancë ndaj ngacmimeve seksuale në institucionet e arsimit të lartë.
Prof. Ass. Dr. Adelina Rakaj theksoi transparencën e procesit dhe rëndësinë e bashkëpunimit me Unionin Studentor: “Studentët kanë kontribuar dhe janë pjesë e këtij dokumenti.” Kjo qasje përfshirëse e studentëve është thelbësore për një proces të drejtë, demokratik dhe gjithëpërfshirës.
Dr. Ariana Qosaj-Mustafa ndau përvojën dhe sfidat e hartimit të rregullores në Universitetin e Prishtinës, duke vënë në pah rëndësinë e komponentëve normativë që garantojnë zbatim real, si dhe nevojën që rregulloret të përditësohen vazhdimisht, në përputhje me kërkesat e shoqërisë civile dhe studentëve. Ajo ofroi rekomandime konkrete për vazhdimin e trajnimeve, ngritjen e kapaciteteve dhe qartësimin e procedurave të raportimit.
Prof. Vjollca Dibra e përqendroi vëmendjen në dimensionin human të problemit: “Këtu flasim për trupin dhe dinjitetin tonë.” Ky theksim rikujton se çdo mekanizëm institucional duhet të ketë në qendër integritetin, sigurinë dhe mirëqenien e studentëve.
Liridona Osmanaj rikujtoi se ngacmimi seksual është “një problem multidimensional që kërkon zgjidhje multidimensionale”, duke përfshirë masa juridike, psikologjike, edukative dhe institucionale. Rregullorja, sipas saj, duhet të mbështetet në një qasje të plotë që përfshin parandalimin, edukimin, raportimin e sigurt dhe mekanizma të paanshëm hetimi.
Tringa Kasemi solli në panel dimensionin juridik dhe rolin kyç të shoqërisë civile, duke theksuar: “Shoqëria civile ka për obligim ta ngrejë zërin për ato/ata që nuk janë të fuqizuar.” Ajo nënvizoi se përkrahja dhe ndërmjetësimi nga organizatat e shoqërisë civile janë të domosdoshme për sigurinë e viktimave dhe qasjen e tyre në drejtësi.
Ky panel rikujtoi se ndërtimi i universiteteve pa ngacmime seksuale është një rrugëtim i gjatë, por i domosdoshëm, dhe se secila prej nesh ka një rol të qartë: të flasë, të raportojë, të avokojë, të edukojë dhe të veprojë. Vetëm përmes angazhimit feminist, bashkëpunimit të sinqertë dhe përgjegjësisë institucionale mund të sigurojmë që brezat e ardhshëm të studiojnë, punojnë dhe krijojnë në hapësira ku dhuna nuk ka vend.






















