Fragmente nga provat e “Kabare 1999”
24 Dhjetor, 2025

Po merr formë “Kabare 1999” — një udhëtim teatror muzikor që lind mes provave, kujtesës dhe skenës. Jemi të lumtur të ndajmë me ju pamje nga provat e shfaqjes “Kabare 1999”, me regji nga Zana Hoxha.
Një shfaqje teatrore muzikore e vendosur në Kosovën e pasluftës, ku kënga, humori i zi, ironia dhe kujtesa kolektive ndërthuren në një rrëfim të fuqishëm.
Nën regjinë e Zana Hoxhës, e frymëzuar nga “Cabaret”, rrëfimi zhvendoset nga Berlini i viteve ’30 në Prishtinën e vitit 1999 – një qytet që po mëson të jetojë sërish, mes shpresës, lodhjes dhe etjes për jetë pas luftës.
Në qendër të shfaqjes është Aida, një vajzë që vjen në Prishtinë për të ndërtuar një të ardhme të re. Ditën shkruan, ndërsa natën punon si bariste në “Klub Europa”, një kabare improvizuese ku realiteti dhe performanca përzihen, duke e futur atë në një trekëndësh dashurie dhe në kërkim të identitetit të saj.
“Kabare 99” thellohet në kompleksitetin e Kosovës së pasluftës, duke ndriçuar betejat dhe triumfet e njerëzve që përpiqen të rindërtojnë jetën mes traumës dhe pasigurisë.
Provat po vazhdojnë me intensitet në skenën e Teatrit të Gjilanit, ku muzika, loja skenike, ironia dhe energjia e ansamblit po ndërtojnë çdo ditë një mozaik të gjallë artistik.
Çdo provë është një hap më afër një shfaqjeje që sfidon, emocionon dhe fton publikun të reflektojë mbi kohën, njeriun dhe shoqërinë.
“Kabare 1999” është bashkëprodhim i Teatrit të Qytetit Gjilan dhe Artpolis, përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Gjilanit.




























































