Shfaqjet Teatrale

“Kabare 1999”, me dy prezantime, sjell një rrëfim mbi kujtesën, lirinë dhe jetën e pasluftës

13 Prill, 2026

10-11.04.2026

Shfaqja “Kabare 1999”, me regji nga Zana Hoxha, u rikthye me reprizat e saj më 10 dhe 11 prill 2026 në Teatri i Qytetit të Gjilanit, duke mbledhur rreth 80 persona në publik gjatë këtyre dy netëve dhe duke sjellë në skenë një rrëfim të fuqishëm mbi realitetin e Kosovës së pasluftës.

E bazuar në veprën Cabaret të Joe Masteroff, “Kabare 1999” e zhvendos ngjarjen nga Berlini i viteve ’30 në Prishtinën e vitit 1999 – një qytet i sapodalë nga lufta, i lodhur dhe i zbrazët në shumë shtëpi, por i mbushur me një etje të pashuar për të jetuar. Në këtë univers, “Klub Europa” shndërrohet në një flluskë të përkohshme lirie dhe iluzioni, ku dritat dhe muzika krijojnë një realitet paralel, ndërsa jashtë tij qëndron pesha e kujtesës dhe e mungesës.

Në qendër të rrëfimit është Aida (Semira Latifi), një shkrimtare që kërkon të dokumentojë të zhdukurit dhe të luftojë harresën përmes artit. Përballë saj qëndron një shoqëri që shpesh e mat gjithçka me çmim – edhe dhimbjen, edhe të vërtetën. Personazhet përreth – MC (Kushtrim Qerimi), Soni (Edon Shileku), Ernesti (Gëzim Bucolli), Afërdita (Aurita Agushi), Dudija (Safete Mustafa Baftiu), Claudio (Gani Rrahmani), Agimi (Ali Demi), Gruaja (Mejreme Berisha) dhe ushtari (Blend Arifi) – bëhen pasqyra të dilemave kolektive mbi lirinë, kujtesën dhe mbijetesën.

“Kabare 1999” vjen si një reflektim i thellë mbi lirinë si festë e brishtë dhe e dëshpëruar, si këngë që vazhdon edhe kur dhimbja mbetet e pashprehur. Është një hapësirë ku realiteti dhe performanca ndërthuren, ku jeta shfaqet si spektakël, ndërsa e vërteta depërton mes vargjeve dhe notave. Në një shoqëri që përpiqet të rindërtojë veten pas luftës, kujtesa dhe shpresa shndërrohen në forma të rezistencës.

Si bashkëproduksion i Teatri i Qytetit të Gjilanit dhe Artpolis, i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Gjilanit, kjo shfaqje dëshmon fuqinë e teatrit si hapësirë ku tragjedia dhe liria bashkëjetojnë, dhe ku publiku largohet me pyetje që vazhdojnë të jehojnë gjatë.

Dy repriza të tjera të shfaqjes do të mbahen më 23 dhe 24 prill 2026, nga ora 20:00, në Gjilan.

You may also like