Shfaqja “Vojçek” me regji të Zana Hoxhës së shpejti me…
15 Janar, 2025
29.02.2024
Më 29 shkurt, 2024 është mbajtur me sukses audicioni për përzgjedhjen e të rinjve dhe të rejave për Klubin Teatror në Shtime, të cilët do të jenë pjesë e trajnimit “Edukimi i Bazuar në Teatër” përreth dy muaj.
Ky organizim është bërë në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Kulturës, Drejtorinë e Arsimit, Shtëpinë e Kulturës, si dhe Shkollën e Mesme Profesionale në Shtime.
Pjesëmarrësit e Klubit Teatror në Shtime do të mentorohen nga aktoret e Ansamblit të Artpolis, Qendresa Kajtazi dhe Zhaneta Xhemajli, të cilët do t’i ndihmojnë ata/ato në zhvillimin e aftësive artistike, zhvillimin e temave, si dhe krijimin e shfaqjes forum teatër.
Këta të rinj dhe të reja do të kenë mundësi të mësojnë mbi artin skenik, krijimin e personazhit, artin e regjisë, dhe magjinë e aktrimit. Mbi të gjitha do të mësojnë se teatri nuk është thjesht një grumbullim i fjalëve dhe lëvizjeve, por një pasqyrim i shpirtit njerëzor dhe i dilemave të jetës. Teatri është një shkollë për të menduar, për të ndier, dhe për të ndryshuar.
Pas prezantimit të shfaqjes forum teatri do t’i japë fuqinë audiencës të hyjë në ndërveprim me personazhet, duke u thelluar edhe më tepër në temën që do të trajtohet në shfaqje.
Ky aktivitet organizohet nga Artpolis me mbështetjen e FRIEDA dhe Komunës së Shtimës.