“O Zot, O Zot, e Zoja e Shpisë” në Tuz…
27 Nëntor, 2024
08.03.2024
Më 8 mars, 2024 gra e vajza marshuan në rrugët e Prishtinës nën moton “Trupat tanë, të drejtat tona! Për njana-tjetrën!”.
“Marshojmë S’festojmë” edhe sivjet u bashkë-organizua nga organizatat e ndryshme të shoqërisë civile.
Ne nuk mund të qëndrojmë të heshtura para një sistemi që tenton të na mbajë nën kontroll! Organizimi jonë i përbashkët është e vetmja rrugëdalje! Do të organizohemi në rrugë, në shkolla, punë, e shtëpi, ashtu siç kemi bërë gjithmonë. Të vetëdijshme që vetëm përkrah njana-tjetrës i kemi fituar betejat deri më tani, dhe kështu të bashkuara e të organizuara jemi më të forta për ato që na presin.
Në marshin e përvitshëm të 8 marsit, aktivisteve feministe, vajzave dhe grave pjesëmarrëse në marsh, iu cënua e drejta e protestës. Këtë të drejtë ua mori qeveria, duke ua ndaluar atyre përdorimin e hapësirave publike, për t’i listuar kërkesat e marshit.
Policia e Kosovës dhunshëm i shtyu e i rrëzoi protestueset paqësore, duke mos i lënë të lëvizin lirshëm dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese në protestë. Dhuna e ushtruar nga ana e Policisë ishte krejtësisht e panevojshme, jo-proporcionale dhe e paarsyeshme. Policia u tregua efektive në zmbrapsjen e aktivisteve, por e njëjta vazhdimisht dështon kur gratë vriten dhe përdhunohen, në hapësira private e publike.
Ne kërkuam autonomi mbi trupat tanë, e mbi trupat tanë u lëshua dhunë policore. Prandaj, reagimi i Policisë në marshin e sotëm, me urdhër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, direkt nga Qeveria e Kosovës, është mesazh për aktivistet feministe. Dhuna e sotme, ka për synim të na heshtë!
Por, ne nuk do të ndalim luftën. Qëndrojmë të vendosura, për njana-tjetrën. Si të tilla, ne do të kërkojmë që dhuna e sotme e ushtruar ndaj aktivisteve feministe, të dënohet si shkelje kushtetuese, e së drejtës tonë themelore në protestë.
RRUGËT JANË TONAT, JO TË QEVERISË!