Shfaqjet Teatrale

Në skenë në Serbi: “Gratë e Trojës” dhe fuqia e grave për paqe

1 Dhjetor, 2025

29-30.11.2025

“Gratë e Trojës” kanë vazhduar rrugëtimin e tyre përgjatë nëntorit në dy qytete të Serbisë. Më 29 nëntor, 2025 në Reflektor Theater Festival në Beograd dhe një ditë më pas në Puls Teatar në Lazarevac, shfaqja tregoi se legjenda e Trojës nuk është thjesht histori e lashtë, por një reflektim i gjallë mbi vuajtjet e grave që jetojnë në luftë dhe pas saj.

Regjia bashkëkohore nga Zana Hoxha dhe Maja Mitić solli një interpretim të freskët dhe tronditës: Hekuba, Kasandra dhe Andromaka u bënë pasqyrë e grave të sotme, të cilat përballen me shtypje, humbje, shpërngulje dhe dhunë. Publiku pa jo vetëm tragjedinë e individëve, por edhe barrën që historia i ka ngarkuar grave përgjatë shekujve, duke kuptuar se dhimbja nuk është e kohës së kaluar – ajo vazhdon të jehojë mes brezave.

Aktorët Maja Mitić, Shpëtim Selmani, Semira Latifi, Branka Stojković, Qëndresa Kajtazi, Labinot Raci dhe Aleksandar Stoimenovski krijuan një përvojë teatrale të thellë dhe prekëse, duke bashkuar fuqinë e trupit, zërin dhe heshtjen në një gjuhë universale emocioni.

Publiku i përbërë nga rreth 150 persona, në dy prezantimet, u largua i tronditur, por edhe i frymëzuar, duke kuptuar se forca dhe qëndrueshmëria e grave nuk është histori e lashtë – ajo është realitet që kërkon të dëgjohet përditshëm.

Në prezantimin në Beograd u zhvillua edhe një diskutim me publikun, i cili dha komente dhe parashtroi pyetje të shumta rreth procesit të shfaqjes, temave të trajtuara, bashkëpunimit artistik dhe sfidave të bashkëpunimit ndërmjet artistëve nga Kosova dhe Serbia, si një praktikë ende jo e zakonshme në skenën e artit.

Ky produksion, realizuar nga Artpolis në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi dhe mbështetur nga Bashkimi Evropian, ishte një thirrje për empati, reflektim dhe veprim, një dëshmi e fuqisë së grave për të përballuar mizorinë dhe për të mbajtur gjallë shpresën edhe në kohët më të errëta.

You may also like