Blog

Ngacmimet seksuale si formë e kontrollit të hapësirave publike

23 Maj, 2020

Qëndresa Hyseni, Prishtinë, Maj, 2020

Me qenë vajzë e grua pashmangshmërisht do mbetesh e detyruar të përballesh me fenomenin e ngacmimeve seksuale. Prej fazës së hershme të pubertetit fillon të përballesh me disa zëra irritues, përçmues, fyes e denigrues që lëshohen në drejtimin tënd, duke ta cenuar integritetin e duke ta mohuar të drejtën elementare për tu ndjerë e lirë e e sigurt në hapësirat publike, të drejtën tënde që të ka takuar prej lindjes e që fatkeqsisht normat mbizoteruese sociale tentojnë mos me të leju me e mësu që ekziston, të drejtën tënde për të cilën historikisht është luftuar e vazhdon të luftohet edhe sot.

Ngulfatesh duke jetuar në një shoqëri që ka mendësi patriarkale. Thyhesh shkaku i pengesave të panumerta që ta vështirësojnë rrugëtimin tënd, pengesa këto të mbështetura në parime shtypëse, diskriminuese, seksiste, raciste, homofobike e përjashtuese që i riprodhon në vazhdimësi patriarkaliteti, i dukshëm e i padukshëm. Gjatë fazave të ndryshme të jetës, vëren se si një kategori sociale ngritet padrejtësisht në piedestalen më të lartë, e vëren se si pushteti e autoriteti që kjo kategori e gëzon po krijon ndarje hiearkike rigjide mes gjinive e racave, dhe jo vetëm. Kupton se si ky pushtet prodhon dije e rrjedhimisht legjitimon padrejtësi gjeneratë pas gjenerate.

Ngacmohesh seksualisht në rrugë, në shkollë, në universitet, në punë e në çdo hapësirë tjetër ku pretendohet që duhet të ju takoj vetëm burrave. Ngacmohesh prej djemve e burrave të cilët pretendojnë që e kanë “prej natyres” me ngacmu e kapacitetet e tyre kognitive pavarsisht ngritjes intelektuale, nuk vihen në funksion për të pranuar një të vërtetë ndryshe.  Pavarësisht faktit që ngacmimet seksuale na janë bërë pjesë e përditshmërisë e shpesh si zgjidhje momentale bëhet injorimi i tyre, kjo në asnjë mënyra nuk e legjitimon ngacmimin e ngacumesin nuk e zhveshë nga përgjegjësia e barra e fajit që ka. Ndër të tjerash, të menduarit në mënyrë kritike për këtë fenomen na ka mundësuar të dalim nga orbita e mbyllur të cilën pa vullnetin tonë e ka ushqyer brenda nesh shoqëria, për vite me radhë. Të zhveshura nga këto bindje thellësisht patriarkale e tradicionale, kuptojmë që trupat, veshjet e sjelljet tona nuk janë në asnjë mënyrë faktor që ndikojnë në ngacmimet që ne i përjetojmë thuajse në çdo vend e çdo ditë.

Ngacmohesh e të krijohet ambient i parehatshëm e kërcënues, por në Kosovë krijojnë mekanizma të atillë të cilët pamundësojnë ndjekjen e rrugëve ligjore që i dënojnë kyesit e kësaj vepre penale. Këto tentime nuk vijnë prej mungesës së plotë të ligjit, po prej disa personave që nuk kanë arritë me dal prej kutisë brenda së cilës i ka vendosur shoqëria, e institucionet demokratike i kanë shndërruar në institucione patriarkale. Patriarkalitetin e institucionalizuar e hasim në shumë institucione publike e private, e hasim madje edhe në ato institucione të themeluara mbi parime të iluminizmit e emancipimit shoqëror. Pavarsisht parimeve në të cilat këto institucione arsimore janë të ngritura, nuk përjashtohet fakti që ndër të tjerash edhe në kampuset universitare ndodhin ngacmime seksuale, madje nga persona të cilët gëzojnë pushtet, autoritet e prestigj për shkak të pozitave të larta udhëheqëse e titujve akademik që mbajnë. Tentohet të të bëhet e pamundur rrëfimi që ambientet universitare nuk janë të rehatshme e të sigurta për ty për shkak se drafti ligjor për ngacmimet seksuale brenda Universitetit nuk aprovohet, nuk aprovohet e tentohet vazhdimi i traditës së ndrydhjes së përvojave të hidhura të ngacmimeve që i përjetojmë në objektet e universitetit. Shkaku i keqpërdorimit të pushteti e politikave diskriminuese, si studente ta vështirsojnë adresimin e ngacmimeve që të janë bërë gjatë viteve të studimit. Ta vështirsojnë shkaku i kërcënime që lidhen me shkatërrimin e të ardhmës tënde. Ta vështirësojnë rrëfimin e lirshëm se si ndjehesh e kërcënuar sa herë që shkon në konsultime e profesori e mbyll deren e kabinetit, sa herë që gjatë diskutimit me x profesorin  ndjehesh jo rehat shkaku i shprehjes së fantazive të shfrenuara seksuale mes rreshtave për trupin tënd, shkaku i shakave, pyetjeve provokuese, epiteteve ofenduese etj.

Pavarsisht tendencës së vazhdueshme për mohimin e këtij fenomeni brenda kampuseve universitare, ky fenomen është prezent e madje mjaft i përhapur. Manifestimi i raporteve të pabarabarta të pushtetit profesor-studente, nuk do të ndikoj më aq fuqishëm që zëri i shumë studenteve kur flasin për këtë fenomen të mos dëgjohet. Bashkëndjenja që studentet ndër vite kanë pasur për njëra-tjetrën, është kthyer në motërzim ku njëzëri do vazhdojnë të dërgojnë përpara kauza tejet domëthënëse e parimore rreth mekanizmave që e luftojnë këtë fenomen.

 Ndikimi i pushteti do mbetët nën hije krahas vullnetit të pashoq që studentet e shoqëria civile e kanë për të punuar drejt dënimit të ngacmuesve seksuale në kampuset universitare, dhe jo vetëm.

You may also like