Aktivitetet Aktivizëm

Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 mars”

17 Mars, 2020

05.03.2020

“Unë bija yte, Kosovë,
t’i njoh dëshirat e heshtura, t’i njoh ëndrrat,
erërat e fjetura me shekuj, t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji, dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta,
e të shpërthejë do si vullkan, më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë,
Unë, bija yte.”

Me këto vargje të bukura të poetit shqiptar Ali Podrimja, artistja e jonë Melihate Qena me një interpretim unik e hapi mbrëmjen poetike “Poezi për Fuqi – çdo ditë është 8 mars”, për  të vazhduar me Shpëtim Selmanin, aktorin dhe poetin tonë me vargjet e tij:

“mërzitem shumë
mbrëmjeve kur më jep force për të jetuar,
nuk dua të jesh aty duke fërkuar duart e mia,
dua të jem i lirë, si një qen,
më duket sikur gjithë atë e cila më takon
e ke marrë dhe ma ke fshehur,
e nuk ma jep dot,
e nuk ta marr dot,…”

Ndërkaq artistët/et dhe poetët/et tjerë që ishin ulur në skenë, Sibel Halimi, Qendresa Kajtazi, Daniela Markaj, Arbër Selmani, Ardiana Rexhepi, Edis Galushi, pritnin radhën e tyre që të performonin vargjet e njohura të poeteve/ëve të ndryshëm, të përzgjedhur enkas për këtë mbrëmje.

Mbrëmja poetike “Poezi për Fuqi – çdo ditë është 8 mars” u organizua për të shënuar 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Kjo atmosferë e bukur, e shoqëruar me muzikë nga bendi “Don’t listen to your neighbors” e bëri publikun ta ndjejnë plotësisht mbrëmjen dhe të frymëzohen që edhe ata të jenë pjesë e skenës, duke performuar poezitë e tyre të zgjedhura.

Ky aktivitet u implementua nga Artpolis dhe u mbështetet nga UNFPA Kosovo dhe cfd– Zvicër.

You may also like