Nga rrënojat e luftës tek qëndrueshmëria, “Gratë e Trojës” me…
6 Nëntor, 2024
03.03.2023
Solidariteti bashkon gratë. Të bashkuara ato inspirojnë, edukojnë dhe guxojnë. E mbrëmja poetike “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars” bëri bashkë 31 artistë/e të dëshmuar/a dhe aktiviste/ë të zhanreve, gjinive, e etnive të ndryshme.
Me diversitet artistësh shqiptarë, romë, serbë, dhe francez u shënua Dita Ndërkombëtare e Gruas në Menzën Ramiz Sadiku, më 2 mars, 2023 në Prishtinë. Kjo mbrëmje ishte një solidarizim me tri gra kryefamiljare nga Klina, Skenderaj, dhe Mitrovica, qytete këto të prekura nga vërshimet.
Mbrëmja nisi me poetet/ët e kësaj mbrëmje Sibel Halimi, Arbër Selmani, Gili Hoxhaj e Shpëtim Selmani, të cilat/ët sollën poezitë e tyre të bukura para publikut, që në përbërje kishte personalitete të shquara të artit, aktivizmit dhe politikës në Kosovë.
Audienca u argëtua edhe me tingujt e muzikës dhe interpretimit të Semira Latifit, Ilir Bajrit, dhe Arian Randobravës, të cilët u shoqëruan me pika koreografike të kërcimtarëve të Noa Dance Theatre: Altina Binaku, Qendrim Makolli, Lavdije Idrizi, Enis Mulaku, Genta Hoxha, dhe Ibrahim Tusha. Të gjitha vallëzimet ishin të përgatitura nga mjeshtri i koreografisë, Robert Nuha.
E në skenë u ngjitën edhe aktoret/ët dhe aktivistet/ët Anisa Ismaili, Aleksandra Jovičić, Denis Galushi, Donato Giuliani, Fatmir Menekshe, Igballe Qena, Mila Mihajlovic, Meli Qena, Neri Ferizi dhe Shkelzen Veseli, të cilët edhe njëherë dëshmuan fuqinë e artit dhe rëndësinë e solidarizimit në kauzat feministe.
Kjo mbrëmje u pasurua edhe me interpretimet e Trupës Artistike Rezidente të Artpolis: Blerta Gubetini, Donikë Ahmeti, Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Qëndresa Kajtazi, dhe Zhaneta Xhemajli.
Përveç poezive të tyre ata/ato interpretuan edhe poezitë e Harold Norse, Luljeta Leshanaku, Eli Krasniqi, Suela Bako, Mario Benedeti, dhe ikonës së poezisë rome Kujtim Paçaku.
Ky program artistik u udhëhoq nga regjisorja dhe drejtoresha e Artpolis, Zana Hoxha.
Tradita e “Mikrofonit të Hapur” solli në skenë edhe audiencën. Poeti Arif Bozagji interpretoi disa poezi të tij dhe foli për botimet e tij më të fundit. Kurse ylli i muzikës rome Bajram Kinolli – Kafu solli këngën “Djelem djelem” për ta përmbyllur këtë natë fantastike.
Ky aktivitet u mbështet nga cfd.