
“Prapa Ekranit” – mbi ndikimin shoqëror të dhunës dhe abuzimit…
9 Tetor, 2025
08.10.2025
Mbrëmë, më 8 tetor 2025, në ambientet e Gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë, u dha premiera e shfaqjes forum-teatër “Prapa Ekranit”, me dramaturgji dhe regji të Zana Hoxhës.
Ngjarjet u shpalosën brenda jetës universitare — një mikrokozmos ku studentët, përmes personazheve Krenarit, Dafinës, Leas, Ardit dhe profesoreshës Drita, përballen me trysninë e një bote të kontrolluar nga imazhet, pëlqimet dhe videot që imponojnë modele toksike të dashurisë, fuqisë dhe dëshirës.
Përmes Forum Teatrit, narrativat sollën një diskutim të gjallë ndërmjet personazheve dhe audiencës. Energjia e nxënësve gjatë debatit që pasoi ishte e dukshme — reagime të drejtpërdrejta, pyetje konkrete, përballje të sinqerta me personazhet që simbolizonin figura reale të përditshmërisë.
Nxënësit nuk ishin spektatorë, por protagonistë të një kërkimi të përbashkët mbi kuptimin e dhunës dhe manipulimit, duke shpërfaqur fytyrën e vërtetë të dhunuesve, e duke qëndruar në solidaritet me viktimat.
Në diskutim dolën në pah disa nga plagët më të thella të shoqërisë sonë digjitale: ngacmimet seksuale të normalizuara përmes ekraneve, ndikimi i thellë dhe i gjerë i dhunës online në jetën reale të njerëzve, fuqia e intelegjencës artificiale kur përdoret në kontekst negativ, format e manipulimit dhe të kontrollit në një lidhje që mbulohen nën petkun e “kujdesit”, dhe frika e kompleksiteti për të raportuar, sidomos kur përfshihet një person i afërt, e që në të shumtën e rasteve dhunuesit janë të afërm. “Prapa Ekranit” shërbeu pikërisht për demaskimin e kontrollit, dhunës dhe manipulimit.
Tre nga nxënësit e shkollës “Xhevdet Doda” u bënë pjesë e shfaqjes, duke rikrijuar skenat dhe ndryshuar narrativën. Pikërisht ky moment tregoi sërish fuqinë e forum teatrit, që u vlerësua nga të rinjtë si një formë e fuqishme e edukimit dhe ndërtimit të vetëdijes, sepse ofron mundësinë e transformimit të menjëhershëm — jo vetëm në skenë, por edhe në vetëdijen e atyre që e përjetojnë.
“Prapa Ekranit” nuk ofroi përgjigje të lehta, por një thirrje të qartë për guxim — guximin për të raportuar e për të kundërshtuar secilën formë të dhunës e shtypjes. Ishte një reflektim mbi etikën e përgjegjësisë në kohën e algoritmeve dhe ndikuesve, një kujtesë se ndërgjegjja mbetet forma më e lartë e rezistencës njerëzore.
“Prapa Ekranit” u jetësua nga loja e aktorëve Ismail Kasumi, Qendresa Kajtazi, Anisa Ismaili, Edlir Gashi dhe Albana Gashi
Ky aktivitet u organizua nga Artpolis, me mbështetje të Rrjetit të Grave të Kosovës dhe East West Management Institute.