“Prapa Ekranit” në Dragash, një përballje me abuzimin online dhe…
23 Prill, 2026

22.04.2026
Në një kohë kur realiteti digjital shpesh perceptohet si hapësirë argëtimi, shfaqja forum-teatër “Prapa Ekranit” vjen si një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në ndërgjegjen kolektive të të rinjve—një akt artistik që nuk synon rehati, por përballje.
E realizuar me dramaturgji dhe regji nga Zana Hoxha, kjo shfaqje nuk qëndron në kufijtë e përfaqësimit skenik, por i thyen ata përmes metodës së forum-teatrit, duke e zhvendosur publikun nga roli pasiv në një subjekt kritik e ndërveprues. Prezantimi i saj më 22 prill 2026 në SHML “Ruzhdi Berisha” në Dragash ishte një proces i hapur reflektimi mbi dhunën psikologjike, kontrollin emocional dhe strukturat e padukshme të pushtetit që riprodhohen përmes teknologjisë.
Në qendër të rrëfimit janë marrëdhëniet e një grupi studentësh dhe profesoreshës së tyre—një mikrokozmos ku ndërthuren tensionet e moshës, presioni social dhe ndikimi i diskurseve të “manosferës”. Këto narrativa nuk shfaqen si abstraksione teorike, por si realitete të mishëruara, të dhimbshme dhe të njohura për audiencën. Shfaqja krijon një hapësirë ku dhuna jo vetëm që identifikohet, por edhe dekonstruktohet.
Reagimet e nxënësve dëshmojnë fuqinë e kësaj qasjeje. Njëra prej nxësëve të SHML “Ruzhdi Berisha” theksoi se, “mendoj se ka qenë një temë shumë e ndjeshme dhe e qëlluar për moshën tonë që gjithashtu është një moshë e ndjeshme edhe gjithashtu për shkollat e mesme. Por, mendoj se edhe aktrimi ishte shumë i mirë për shkak edhe mënyra se qysh na kanë bo me u ndje edhe neve. Aktrimi i atyre dy djemve që kanë irrituar dhe bezdisur audiencë ka treguar se ata e kanë bo aktrimin aq mirë sa që me i paraqit të gjitha emocionet”.
Ky reagim nuk është vetëm një vlerësim estetik; ai është një tregues i identifikimit emocional dhe i një shqetësimi të përbashkët që arti arrin ta artikulojë. Irritimi i publikut bëhet dëshmi e suksesit të shfaqjes—një sukses që nuk matet me duartrokitje, por me tronditje.
Një tjetër nxënëse e thellon këtë përvojë, duke e lidhur drejtpërdrejt me realitetin personal dhe familjar:
“Sa i përket shfaqjes që është bërë më ka dhënë një ndjenjë shumë të mirë por edhe të keqe sidomos prej atyne dy djemve që ishin pro se vajzat duhet të mbahen gjithmonë nën kontroll. Prej saj unë kam shumë raste të ngjashme si përshembull me familjarët e mi… Gjithashtu për punën e Krenarit… një vajzë nuk mundesh me u afru me ato gjeste, sepse ajo duhet ta kuptojë shumë mirë që interesat e tij janë shumë të mëdha dhe që do vetëm me përfitu”.
Këtu, teatri tejkalon kufijtë e fiksionit dhe bëhet pasqyrë e strukturave sociale që vazhdojnë të prodhojnë pabarazi dhe dhunë. Personazhet e Ardi-t dhe Krenarit, si përfaqësim i manipulimit emocional të maskuara si dashuri, dhe historia e profesoreshës Drita, e cila bart plagë të një dhune të vazhdueshme, nuk janë thjesht karaktere—ato janë arketipe të përditshmërisë sonë.
Interpretimi i aktorëve—Ismail Kasumi, Qendresa Kajtazi, Anisa Ismaili, Edlir Gashi dhe Albana Gashi—ndërton një tension të qëndrueshëm emocional, ku kufiri mes rolit dhe realitetit shpesh zhduket. Veçanërisht, performanca e dy aktorëve që mishërojnë diskursin kontrollues dhe dominues provokon reagim të menjëhershëm, duke e detyruar publikun të pozicionohet.
E organizuar nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, me mbështetje të Kosova Women’s Network dhe East-West Management Institute, kjo shfaqje dëshmon se arti, kur është i angazhuar dhe i ndërgjegjshëm, mund të funksionojë si mjet transformimi social.
Në këtë kuptim, “Prapa Ekranit”, është një thirrje për të parë përtej ekranit, aty ku fillon realiteti.
















