“Prapa Ekranit” në Skenderaj, me mesazhe kundër dhunës ndaj grave
16 Prill, 2026

15.04.2026
Shfaqja “Prapa Ekranit”, me dramaturgji dhe regji nga Zana Hoxha, u prezantua dje në Gjimnazin “Hamëz Jashari” në Skenderaj, duke nxitur debat mbi abuzimin online dhe pasojat reale të tij, në një kohë të intelegjencës artificiale tashmë në rritje. Duke përdorur metodën e forum teatrit, shfaqja e transformoi audiencën nga vëzhgues pasiv në aktor aktiv, duke e kthyer teatrin në një hapësirë të thellë diskutimi e reflektimi.
Ajo që e bëri këtë shfaqje thellësisht filozofike ishte zbërthimi i një prej dilemave më të mprehta të kohës sonë: kufiri midis kujdesit dhe kontrollit.
Kur personazhi Ardi tha se “ka rregulla dhe rregullat i bën ai në shtëpi”, publiku u përball me një mentalitet që e ngatërron posedimin me përkujdesjen. Shfaqja trajtoi me guxim edhe përdorimin e inteligjencës artificiale për gjenerimin e videove dhe fotografive të manipuluara, duke ngritur pyetjen: kur teknologjia bën të mundur krijimin e një “realiteti” që nuk ka ndodhur kurrë, kush mban përgjegjësi?
Gjatë forum teatrit, audienca parashtroi pyetje të mprehta: “Qfarë masash keni me ndërmarrë për Ardin?”, “A ka me të shkaktu frikë nëse hyn në një lidhje të dytë?”, “Qysh u ndjeve pasi kuptove që Krenari e ka ndihmu për video?”. Përgjigjja e profesoreshës ishte veçanërisht domethënëse: “Fajtor nuk ka me qenë vetëm një person, por shumë”. Kjo ishte një tezë e rëndësishme – ajo e përgjegjësisë së shpërndarë. Personazhi Krenari pranoi fajin për krijimin e videos me AI, por e vendosi ndarjen mes krijimit dhe postimit, duke hapur debatin mbi natyrën e pendimit: a mund të jetë pendimi i vërtetë pa vuajtur pasoja?
Mesazhi përmbyllës i profesoreshës Dritë (Anisa Ismaili) ishte një apel për guxim: “asnjëherë nuk duhet me u frikësuar nëse dikush të bullizon. Duhesh patjetër me kërku ndihmë.” Ajo lidhi gëzimin me hidhërimin, duke kujtuar se të qenit njeri do të thotë të ndash si gëzimin ashtu edhe vuajtjen.
Aktorja Qendresa Kajtazi, dikur nxënëse e këtij gjimnazi, në përfundim të diskutimit iu drejtua nxënësve me një mesazh të qartë, “gjëja kryesore që duheni me pas tash në jetë është ambicia edhe shkollimi edhe komunikimi me familjet e juaja”.
Profesoresha e gjimnazit “Hamëz Jashari”, Egzona Lushtaku, reflektoi pas përfundimit të shfaqjes: “Dua të falënderoj Artpolis për këtë shfaqje kaq të bukur, mesazhin aq të bukur ku na mësoj se dashuria nuk është kontroll dhe se deri ku është kontroll e deri ku kujdes. Me tregu se po jetojmë me një kohë ku përdorimi i rrjeteve sociale po përdoret për qëllime jo të mira edhe me tregu se sa e rrezikshme është intelegjenca artificiale deri sot ku po gjenerohen fatkeqësisht video edhe fotografi të vajzave që bëhen prej burrave për përfitime apo prishje të imazhit të dikujt tjetër, kështu që faleminderit shumë për iniciativën dhe qëllimi ishte shumë i mirë”.
Në një kohë kur realiteti digjital po formëson mënyrën se si e kuptojmë veten dhe tjetrin, kjo shfaqje na kujton se çdo klikim, çdo imazh dhe çdo heshtje bart një peshë etike. Sepse pas çdo ekrani, ekziston një jetë reale – dhe çdo ndërhyrje, qoftë artistike apo njerëzore, është një akt rezistence ndaj dehumanizimit.
Kjo shfaqje u organizua nga Artpolis, me mbështetje të Rrjetit të Grave të Kosovës dhe East West Management Institute.









