Forum Teatri

Protesta e “Fefusë dhe Shoqeve të Saj” për barazi gjinore

29 Maj, 2024

28.05.2024

Teatri Dodona u shndërrua në një skenë të fuqishme feministe të martën mbrëma me shfaqjen “Fefu dhe Shoqet e Saj”. Ky produksion teatral solli një pasqyrë të përvojave të grave, duke adresuar çështje të barazisë gjinore dhe rrëfime emocionuese mbi rolin e gruas në një shoqëri patriarkale dhe nevojën e tyre për liri.

Nën regjinë e Arlinda Morinës – Likit, shfaqja trajtoi temën e pritshmërive shoqërore ndaj grave, padrejtësitë e pushtetit dhe sfidat me të cilat gratë përballen për të gjetur veten në një botë të pabarabartë. Shkruar nga Julies Aaron dhe Maria Irene Fornes, “Fefu dhe Shoqet e Saj” ofron një perspektivë të qartë mbi shtypjen e patriarkatit dhe çlirimin përmes feminizmit, duke na shtyrë të reflektojmë mbi normat dhe strukturat që pengojnë barazinë gjinore.

“Fefu dhe Shoqet e Saj”, produksion i Artpolis, shënoi kulminacionin pikërisht në momentin kur gratë bashkuan forcat, dhe njëzëri protestuan kundrejt shtypjes, patriarkatit e dhunës së shumëfishtë. Fefu (Aurita Agushi), Cindy (Zhaneta Xhemajli), Christina (Qendresa Kajtazi), Juli (Donikë Ahmeti), Ema (Vlora Dervishi), Cecilia (Blerta Gubetini), Paula (Dora Xhemajli) u bashkuan në solidaritet me të gjitha gratë duke kënduar “‘Po na vjen behari’ – po përmbyset patriarkati, liria po vjen, s’ka pushtet që mbrapa ne na kthen, shtypjes suaj fundi po i vjen!”.

Teksa këndonin ato valëvisnin edhe flamujt e komuniteteve të LGBTQI+. Një përjetim i tillë teatror na inkurajon të reflektojmë mbi diversitetin dhe dallimet brenda shoqërisë, duke bërë thirrje   të angazhohemi përditshëm drejt një shoqërie më të hapur dhe të drejtë.

Ky prezantim është mbështetur nga Unfpa Kosovo.

You may also like