Punëtoritë

Punëtoria “Përqafimi i të Harruarave”, nderon kontributin e grave shqiptare

18 Mars, 2024

15-17.03.2024

Ansambli i Artpolis ka pasur rastin të thellohet në një hulumtim sa të rëndësishëm historik, aq edhe inspirues artistikisht përmes punëtorisë “Përqafimi i të Harruarave”, udhëhequr nga aktorja dhe regjisorja Maja Mitić.

E mbajtur më 15-17 mars, 2024 në Prishtinë kjo punëtori ka nderuar kontributin historik të grave shqiptare ndër vite, që shpeshherë nuk marrin vendin e merituar shoqëror.  Nga aktivizmi i Motrave Qiriazi e Marta Prekpalajt deri tek angazhimi për çlirim të vendit të Shote Galicës e Xhevë Lladrovcit.

Duke përdorur forma të ndryshme teatrore, historitë e tyre janë sjellë jo vetëm përmes diskutimeve, por edhe përmes lojërave teatrore, një eksplorim i veçantë për krijimin e shfaqjeve.

Artistët e Ansamblit të Artpolis e kanë vlerësuar si një përvojë të veçantë, e të domosdoshme për t’u thelluar në historitë inspiruese të grave shqiptare.

“Ishte një udhëtim mahnitës që na bëri të kujtojmë të gjitha gratë që sollëm në jetë përmes lëvizjes, emocioneve, aktrimit dhe diskutimit. Të gjitha gratë që zgjodhëm kishin një gjë të përbashkët ‘shpirtin e tyre revolucionar’. Ne kaluam nërpër kohën e tyre të jetesës, përpjekjet e tyre, punën e tyre, jetën e tyre personale dhe përkushtimin e tyre të madh që ato kishin për kauzën e tyre”, ka thënë Blerta Gubetini.

Për aktoren Zhaneta Xhemajli ky ishte një “rizbulim kulturor”.

“Punëtoria ndihej si një udhëtim vetë-zbulimi dhe një lidhje me trashëgimitë e harruara, duke më frymëzuar për të ruajtur këto rrëfime të rëndësishme”, ka thënë ajo.

Kurse aktori Mikel Markaj është shprehur se, “Ishte një përvojë e mahnitshme të punoja me Majën dhe të kaloja nëpër këtë punëtori duke kujtuar punën e madhe të njerëzve nga e kaluara. Nga shumë e shumë njerëz që lanë gjurmë të mëdha morëm emra si Motrat Qiriazi, Shote Galica, Xhevë Lladrovci dhe Marta Prekpalaj”.

You may also like