“O Zot, O Zot, e Zoja e Shpisë” në Tuz…
27 Nëntor, 2024
03.05.2019
Shfaqja forum teatër “Stigma – Kërko të drejtën tënde” vazhdoi rrugëtimin e vet në Pejën e bukur, në teatrin e qytetit “Istref Begolli”, me 03 maj, 2019.
Nxënës/e të shkollave të mesme, të rinj e të reja, gra e burra u bënë pjesëmarrës në diskutimin e hapur për publik, pas performancës.
Shfaqja i ofroi publikut humor të përcjellur me emocione tjera, që nxiti debate nga të rinjtë/rejat duke komentuar që dashuria e Anës (aktorja Qëndresa Kajtazi) me Drenin (aktori Gani Rrahmani) duhet inkurajuar dhe nuk duhet të ndalohet për shkak të së kaluarës së trishtuar të zonjës Mira (aktorja Anisa Ismajli). Paragjykimet dhe sjelljet e këqija ndaj të mbijetuarëve të dhunës gjatë luftës në Kosovë, nuk kanë vend në shekullin 21.
“Duhet përmirësuar komunikimi nga të dy palët, edhe nga ana e z.Agronit edhe nga ana e zonjës Mira që të mos i vuajnë pasojat të rinjtë”, kështu e komentuan situatën e zhvilluar në shfaqje, të rinjtë pejanas.
Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, vazhdon të trajtojë temën e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe stigmatizimin e tyre, duke vetëdijësuar të rinjtë/rejat dhe gjithë të tjerët në luftimin e kësaj dukurie dhe të sfidojë ata/ato që ende e kanë të paqartë rëndësinë e përkrahjes së heroinave të vendit.
Regjisor dhe facilitator: Lulzim Bucolli
Aktorë/e: Anisa Ismajli, Kushtrim Qerimi, Qendresa Kajtazi dhe Gani Rrahmani.
Shfaqja Forum Teatër “Stigma – Kërko të drejtën tënde” në Pejë u përkrah nga MEDICA GJAKOVA.