“O Zot, O Zot, e Zoja e Shpisë” në Tuz…
27 Nëntor, 2024
26.03.2019
Komuna e Podujevës, me datë 26 mars, 2019, mirëpriti shfaqjen Forum Teatër “Stigma – Kërko të drejtën tënde” në teatrin e qytetit “Avdush Hasani”.
Forum teatri trajtoi një temë të ndjeshme kolektive, që ka prekur gati çdo vend të dalë nga konflikti, çdo vajzë, grua apo familje që i kanë mbijetuar dhunës seksuale. Kjo histori s’ka fjetur kurrë në mendjet e atyre që u ka ndodhur, është traumë kolektive që ka përlotur burra, gra dhe fëmijë, që ka gjujnëzu një komunitet, dhe që vazhdimisht kërkohet drejtësi për të gjithë ata/ato të cilët bashkjetojnë me këtë ngjarje.
“Unë nuk kam çikë për djalin tënd” – ishin fjalët që ia tha Agroni (babai i Anës) zonjës Mira, kur ai e kuptoi që Ana dashuronte Drenin, djalin e zonjës Mira. Mira e prekur nga arroganca dhe trajtimi i keq i Agronit ndaj saj, por që e dinte se buronte nga mentaliteti patriarkal dhe paragjykues kosovar, u përball me të duke qëndruar krenare dhe e fortë. “Unë nuk jam viktimë, por jam e mbijetuar e luftës dhe nuk dua të ma bëjnë me gisht, ashtu siç ma bëre ti. Kjo është arsyeja që unë nuk kam ardhë në Kosovë qe 20 vite, por po e shoh që asgjë nuk paska ndryshu as tani”, me lot në sy dhe e zhgënjyer me situatën Mira iu kundërvy Agronit.
Me emocione dhe kurreshtje u përcjell performanca e shkëlqyer e aktorëve. Interaksioni i publikut dhe diskutimi i hapur pas shfaqjes mes nxënësve, aktivistëve, zyrtarëve të institucioneve dhe aktorëve i dha edhe më shumë fuqi temës së zhvilluar. Trajtimi i keq i zonjës Mira (aktorja Anisa Ismili) nga ish fqiu i saj, zotëri Agroni (aktori Kushtrim Qerimi), kur ajo më në fund merr guximin të vijë në Kosovë, pas 20 viteve, krijon tension por edhe njëkohësisht ndërgjegjëson publikun për sjelljet jo të mira dhe botëkuptimet e vjetra të Agronit. Të gjithë u bashkuan me mendimin se nuk duhen stigmatizuar personat që janë mbijetues të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, por duhen përkrahur dhe integruar në shoqëri që të gëzojnë një jetë të qetë sikurse edhe të tjerët.
Regjisor: Lulzim Bucolli
Moderator: Daniela Markaj
Aktor/e: Anisa Ismajli, Kushtrim Qerimi, Qendresa Kajtazi dhe Gani Rrahmani.
Shfaqja në Podujevë është përkrahur nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës / QKRMT
Kjo shfaqje është krijuar në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut në Kosovë përmes shoqërisë civile aktive”, Projekt i financuar nga BE-ja dhe i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, nën Instrumentin Evropian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, zbatuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Artpolis, në partneritet me Institucionin e Avokatit të Popullit.