Aktivitetet Aktivizëm Projektet

Shkolla Pranverore Feministe 2021 – Pjesa e parë

10 Prill, 2021

01-04.04.2021

Me moton “Vajzat e reja ndërtojnë paqen”, filloi edicioni i Shkollës Pranverore Feministe që bëri bashkë më shumë se 20 vajza nga Kosova e Serbia.

Për katër ditë me radhë, 1-4 prill, këto vajza u trajnuan dhe morën ligjërata mbi feminizmin dhe më gjerë nga Anita Panteliq, Marijana Toma, Marijana Stojçiq dhe Ajna Jushiq.

Në fillim të secilës seancë për pjesëmarrëset u krijua një hapësirë e sigurt duke u prezantuar në forma creative dhe të bashkëveprojnë duke bërë pyetje e duke shkëmbyer përvoja e ide të ndryshme. Për to ishte siguruar gjithashtu përkthim në të dy gjuhët – shqip dhe serbisht, që të shprehen secila në gjuhën amtare dhe ta dëgjojnë dhe të mësohen me gjuhën tjetër.

“Historia e pozicionit dhe organizimit të grave në pjesën e dytë të shekullit të 20-të në ish-Jugosllavi”, “Mekanizmat e Drejtësisë Tranzicionale”, “Qasja Feministe në Drejtësi: Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Gjykata e Grave”, “Fëmijët e Harruar të Luftës” ishin temat kryesore që u trajtuan dhe u diskutuan gjatë këtij edicioni të Shkollës Pranverore Feministe.

Se Ballkani Perëndimor ka potencial që nga dikur vatër e luftërave të shndërrohet në vend të paqes e tregon edhe kjo deklaratë e aktivistes Majlinda Behrami gjatë këtij trajnimi: “Sikur politikanët, të cilët në shumicën e rasteve janë burra, do të ishin të prirë të punonin për arritjen e paqes me të njëjtin vullnet si ai që po shpërfaqet në këtë takim, Ballkani Perëndimor me të vërtetë do ishte vend i ëndrrave për të jetuar”.

Shkaku i pandemisë COVID-19 pjesa e parë e Shkollës u mbajt online, derisa u organizua nga partnerët “Qendra Alternative e Vajzave” nga Krushevci dhe “Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet” nga Prishtina.  

Projekti “Gratë e reja ndërtojnë paqen në Kosovë dhe Serbi” implementohet në bashkëpunim me dhe Artpolis-Qendra për Art dhe Komunitet dhe Qendra Alternative e Vajzave ndërsa përkrahet nga Unioni Evropian në Kosovë dhe Kvinna till Kvinna.

You may also like