Forum Teatri

Themelohet Klubi Teatror në Pejë

19 Shkurt, 2025

19.02.2025

Më 19 shkurt, 2025 Artpolis ka themeluar Klubin Teatror në Pejë, një iniciativë e realizuar në bashkëpunim me Komunën e Pejës dhe Gjimnazin “Bedri Pejani”.

Ky klub synon të krijojë një hapësirë të sigurt dhe krijuese për të rinjtë, ku ata mund të eksplorojnë artin skenik, të zhvillojnë aftësitë e tyre artistike dhe të fuqizohen përmes teatrit.

Pjesëmarrësit e Klubit Teatror do të ndjekin trajnimin “Edukimi i Bazuar në Teatër”, një metodologji inovative që kombinon artin dhe edukimin për të nxitur reflektim dhe debat shoqëror. Nën mentorimin e aktorëve Fitore Broqi dhe Ismail Kasumi, të rinjtë do të punojnë mbi konceptin e dramës së Shekspirit “Ëndrra e Një Nate Vere”, duke e sjellë këtë kryevepër klasike në një dimension të ri përmes interpretimit të tyre kreativ.

Si rezultat i këtij procesi, pjesëmarrësit do të prezantojnë para publikut një shfaqje forum teatër, e cila jo vetëm që do të sfidojë kufijtë e interpretimit tradicional, por edhe do të hapë një dialog të rëndësishëm mbi temat që ata zgjedhin të trajtojnë. Forum teatri si metodë interaktive synon të përfshijë audiencën në diskutim, duke e kthyer teatrin në një mjet të fuqishëm për ndërgjegjësim dhe ndryshim shoqëror.

Gjatë këtij procesi krijues, të rinjtë do të mësojnë jo vetëm rreth dramaturgjisë dhe interpretimit skenik, por edhe një sërë shkathtësish jetësore si komunikimi efektiv, të menduarit kritik dhe zgjidhja e problemeve, bashkëpunimi dhe puna në grup, si dhe vetëbesimi dhe shprehja personale. Përmes improvizimit dhe interpretimit, ata do të mësojnë si të shprehen qartë dhe me ndikim, ndërsa puna në grup do t’i ndihmojë të kuptojnë rëndësinë e koordinimit dhe mbështetjes reciproke. Analiza e temave sociale dhe gjetja e mënyrave inovative për t’i trajtuar në skenë do të forcojë aftësinë e tyre për të reflektuar dhe për të ndikuar në shoqëri.

Ky klub përfaqëson një hap të rëndësishëm në pasurimin e jetës kulturore në Pejë, duke ofruar një platformë të re për të rinjtë që të eksplorojnë artin dhe fuqinë e tij transformuese.

Ky aktivitet organizohet nga Artpolis në bashkëpunim me Komunën e Pejës dhe Gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë, me mbështetjen e Friedas dhe Ministrisë së Kulturës.

You may also like