Shpalljet

Thirrje për pjesëmarrje në Shkollën Pranverore Feministe 2024

2 Maj, 2024

Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet nga Prishtina dhe Qendra Alternative për Vajzat nga Krushevci, hapin thirrjen për gjeneratën e dhjetë të Shkollës Pranverore Feministe 2024, me mbështetjen e fondacionit suedez Kvinna till Kvinna.

Rreth Shkollës Pranverore Feministe:

Shkolla Pranverore Feministe ka kontribuuar në ndërtimin e paqes dhe pjesëmarrjen e grave në dialogun për paqen në Ballkanin Perëndimor që nga viti 2014, përmes reduktimit të distancës kulturore ndërmjet grave të reja dhe aktivisteve nga Kosova dhe Serbia dhe përmes promovimit të praktikave dhe politikave feministe të paqes. Shkolla është krijuar në mënyrë që pjesëmarrëset të angazhohen në procese mësimore praktike dhe të eksplorojnë rreth politikës feministe dhe procesit të ndërtimit të paqes në një frymë bashkëpunimi, miqësie dhe respekti për të gjitha dallimet socio-politike dhe individuale.

Shkolla Feministe është e destinuar për gra të reja/aktiviste nga Kosova dhe Serbia, në moshën 18 deri në 35 vjeç, të cilat janë të gatshme të marrin pjesë në të gjithë programin e Shkollës Pranverore Feministe (në Kosovë dhe në Serbi), të cilat janë të interesuara për:

🌸 Njohjen dhe krijimin e lidhjeve sociale të reja me gra të reja nga Kosova dhe Serbia;

🌸 Mësimin mbi feminizmin, të drejtat e grave, paqen dhe lëvizjet kundër luftës, dhe pjesëmarrja në këto lëvizje;

🌸 Promovimin e të drejtave të njeriut dhe angazhimin në iniciativa që kontribuojnë në lidhjen, mirëkuptimin, bashkëpunimin dhe komunikimin midis aktivisteve dhe studenteve nga Kosova dhe Serbia;

Programi dhe metodologjia e punës përfshijnë:

🌸 Shkolla organizohet në dy pjesë. Pjesa e parë e cila zhvillohet në Serbi, kurse e dyta në Kosovë, me përfshirjen e ligjërueseve dhe fasilitatoreve, pra aktivisteve të paqesqë transmetojnë njohuritë dhe përvojat e tyre, si dhe punë interaktive nga pjesëmarrëset gjatë të dy pjesëve.

🌸 Shkolla zhvillohet në gjuhën shqipe dhe serbe, me përkthim;

🌸 Punë në grupe me tematika të përcaktuara për detyrat e punës, me mbështetjen e një mentoreje, mes dy pjesëve të Shkollës Pranverore Feministe

🌸 Mundësi për pjesëmarrje aktive në punën e Rrjetit Alumni të FSS-së;

Temat që do të trajtohen përmes Shkollës Pranverore Feministe:

🌸 Historia e organizimit të grave;

🌸 Aktivizmi feminist, parimet dhe veprimet feministe;

🌸 Arti feminist si një mjet për ndryshimet sociale;

🌸 Rezistenca kundër luftës – politikat feministe të paqes;

🌸 Mekanizmat e drejtësisë tranzicionale;

🌸 Barazia gjinore;

🌸 Kontributi i grave në ndërtimin e paqes dhe sigurisë.

Pjesëmarrja në programin e Shkollës Pranverore Feministe është plotësisht falas për pjesëmarrëset dhe përfshinë edhe shpenzimet e udhëtimit, akomodimit dhe ligjëratave nga organizatorët.

Pjesa e parë e Shkollës Pranverore Feministe do të mbahet nga 4 qershor deri më 7 qershor 2024, në Serbi, ndërsa pjesa e dytë do të mbahet në muajt e vjeshtës në Kosovë.

Afati për aplikime është deri më 15 maj 2024, në mesnatë.

Linku për aplikim: https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSfUX4muxRunrbcnYTDhyYcBhB5qjxXQ157kHCPOk41epPwSCA/viewform

Shënim:

Për shkak të numrit të kufizuar të pjesëmarrëseve, vetëm kandidatet e zgjedhur për pjesëmarrje në Shkollën Pranverore Feministe do të njoftohen përmes email/telefon jo më vonë se 24 maj 2024.

Për më shumë informacion, na kontaktoni në: feministspringschool@gmail.com dhe 046 178 667. 

Shkolla Pranverore Feministe përkrahet nga Kvinna till Kvinna.

You may also like