
“Vojceku” i Zana Hoxhës: Një tragjedi e tjetërsimit dhe dhunës…
22 Shkurt, 2025
Shfaqje përmasash të tilla, synojnë efektin që zgjat te publiku. Provon ta arrijë atë që teatri e synonte qysh në zanafillë – katarsisin. Këtë rol ka “Vojçeku” i njërit prej dramaturgëve më të mëdhenj gjermanë, Georg Büchner. Nën regji të Zana Hoxhës, rrëfimi i frymëzuar në ngjarje të vërtetë është zbardhur në Gjakovë dhe sipas regjisores ai rezonon mjaft mirë edhe me këtë qytet. Drama është portret i fuqishëm dhe thellësisht emocional i vuajtjes dhe efektit shkatërrues të padrejtësive në shoqëri.
Në skenën e teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë, “Vojçeku” është vënë si version më modern i veprës, me tekst të përshtatur nga dramaturgu anglez Jack Thorne. Aty bashkëjetojnë çmenduria, efekti i punës çnjerëzore, alkoolizmi dhe jo vetëm.
Vepra që shquhet si gur themeltar për teatrin gjerman ka në qendër Franz Vojçekun, ushtarin që plotëson të ardhurat e tij të pamjaftueshme duke kryer punë nga më të çuditshmet. Madje duke “helmuar” veten duke marrë pjesë në eksperimente njerëzore.
Me t’u ngritur perdet e skenës, paralelisht nis edhe muzika me ritme rocku, interpretuar nga Kreshnik Koshi. Skena dashurie në hapje të shfaqjes bëjnë të ditur se njëra nga temat qendrore është po ashtu dashuria e kryepersonazhit për gruan e tij, Marian, që luhet nga aktorja Vlora Dervishi.
Vojçek, rol që e luan aktori Bujar Ahmeti, duke u kthyer shpejt në detyrën e tij si ushtar, zbulon karakterin e tij prej burri besnik dhe jolakmitar derisa flet me mikun e tij më të afërt dhe të vetmin. Është Andrew, që luhet nga aktori Edi Kastrati, si karakter krejt i kundërt nga protagonisti qendror. Por zbulohet edhe gjendja e tij financiare. Vështirësitë e klasës punëtore mund të përmblidhen si temë e komplet dramës. Ngjarja zhvillohet në Gjermani.
Jeta e Vojçekut është poshtërim i pafundmë. Nga të gjithë ai përqeshet, përbuzet, nënçmohet. Veçmas nga kapiteni i tij, që luhet nga Arbies Komoni. Paralele midis të pasurit dhe të varfrit ngrihen veçmas kur gruaja e kapitenit, Megi, që luhet nga Aurita Agushi, e viziton Marian, që i jep për detyrë të shpërndajë dy mijë zarfe nëpër qytet. Sipër shtëpisë ku ata banojnë është thertorja që kundërmon rëndë.
Kur Vojçeku ndeshet në një formë për të siguruar para, gjendja e rëndë financiare reflektohet kur nuk i intereson fare të dijë sesi praktikohet ajo dhe cilat janë efektet e pasojat. Është testim medikamentesh për të parë sesi trupi reagon ndaj tyre.
“Një djalë që jeton në kushte të vështira dhe që e do shumë gruan e tij. Ai do ta ndryshojë pak jetën e tij duke iu nënshtruar një testi mjekësor i cili e çon në një gjendje tjetër mendore”, ka thënë aktori Bujar Ahmeti që luan rolin që ia jep dramës edhe titullin.
Ka thënë se në shfaqje, mirësia e Vojçekut keqpërdoret dhe shfrytëzohet naiviteti i tij.
“Ky është një motërzim, dramatizim i tekstit të Büchner ku autori ka bërë një ndryshim ku vjen në pah karakteri i një djali të rëndomtë, që nuk e ka gjendjen e mirë financiare, i cili i nënshtrohet testit. Njerëzit përreth tij ia lakojnë komplet jetën, ia keqpërdorin mirësinë e tij, naivitetin e tij dhe fillon gradualisht të bjerë në ato pozita çfarë janë të shkruara në tekst e që ne i kemi ekzekutuar me performancë”, ka thënë aktori Bujar Ahmeti.
Dieta e rreptë e mjekes, të cilën e luan Altina Kusari, e çon përherë e më shumë në çmenduri. Fillon të ketë halucinacione. Sheh veten si fëmijë tek vrapon duke ikur nga e ëma. Vojçekun e vogël e luan Eden Kastrati.
Aktorja Aurita Agushi e konsideron tematikën e kësaj shfaqje si tejet emocionale.
“Jam pritur shumë mirë nga kolegët, më kanë bërë të ndihem si në shtëpi. Procesi ka shkuar vaj. Kjo sigurisht kur punon. Tema është shumë e vështirë, shumë e rëndë, shumë emocionale. Ka situata shumë dramatike, deri në tragjedi. Ne themi që para premierës jemi si bombë me sahat, por që në fund ky rezultat që e patë, është rezultat i punës së jashtëzakonshme, në radhë të parë të Zanës, pastaj aktorët, por edhe i gjithë stafi që nuk shihet në skenë”, është shprehur ajo.
Nga gjendja e rëndë psikologjike, papritmas Vojçekun e kap frika nga vdekja. Kthehet në përbindësh në raport me bashkëshorten. Nis të shfaqet temperamenti i tij. Përballet me të kaluarën e tij e cila nuk duket aq e mirë. Ai është rritur pa prindër. Duke takuar fëmijërinë e tij, i rëndohet edhe më shumë gjendja.
Aktori Ahmeti ka thënë se është dashur të hulumtohet mirë materiali për të kuptuar gjendjen e personazhit.
“Është pak sfiduese sepse duhet të hulumtohet, duhet ditur çfarë krizash nervore, çfarë problemesh e shqetësimesh ka. Në bashkëpunim me Zanën, gjithë ekipin, me shumë sugjerime e propozime kemi ardhur deri te ky rezultat. Shpresoj që kemi bërë punë të mirë. Besoj se publiku i Gjakovës do ta presë mirë këtë shfaqje dhe shpresoj se do të ketë jetë të gjatë”, është shprehur ai.
Goditjen e fundit kryepersonazhi e merr nga miku më i afërt i tij, Andrew.
Aktori Edi Kastrati, që e luan këtë rol, ka thënë se ky personazh është pasqyrë e sjelljes së njerëzve që na rrethojnë dhe mënyrës sesi ata ndikojnë në jetë.
“Andrew është njëri prej personazheve, mik i afërt dhe i vetmi i Vojçekut, që e pamë shumë mirë se çfarë ndodhi me të, sesi ia gatoi dhe sesi ia bërë jetën. Një personazh shumë i mirë, i cili na tregon shumë mirë, shumë qartë se duhet të kemi shumë kujdes me rrethin që na rrethon, sidomos në këto rrethana që po jetojmë. Rrethi është i vetmi shqetësim i njerëzve. Rrethi që na shtyn të bëjmë gjëra, që na komploton dhe na rregullon situatat e këqija. Mendoj se kemi arritur ta realizojmë atë që autori ka dashur ta thotë me Andrew”, është shprehur ai.
Shfaqja “Vojçeku” zgjat dy orë dhe s’është fort lehtë ta mbajë ritmin e të mos e prekë monotoninë.
Procesin e punës, Kastrati e ka konsideruar sa të mundimshëm, aq të kënaqshëm.
“Tash jemi liruar krejtësisht prej një emocioni, pasi patëm shumë emocione të them të drejtën. Shfaqje e mundimshme për ne, por shumë e kënaqshme, sidomos kur e shohim që ka rezultuar me sukses te publiku, ne jemi shumë të kënaqur me rezultatin”, ka thënë ai pas shfaqjes.
E aktori Bujar Ahmeti e konsideron si punë të madhe të krejt ekipit të shfaqjes.
“Jemi kënaqur shumë. Ka qenë punë intensive, për mua është shumë kënaqësi të punoj në Teatrin e Gjakovës, është qyteti im dhe për të dytën herë po punoj edhe me Zanën. Jam shumë i lumtur, besoj që e kemi jetësuar një shfaqje shumë të mirë”, është shprehur ai.
Në shfaqje, dashuria midis personazheve është e shtirur. Tradhtia shfaqet haptazi e tërthorazi.
Një element sa i çuditshëm, po aq edhe asi që zgjon kureshtje, ka qenë materiali prej plastike, me ngjyrë të zezë, që zgjatet në një pjesë të skenës. Roli i tij zbulohet vetëm në fund kur Maria pështillet me të si një shenjë mbrojtjeje nga Vojçeku, por ngulfatet nga ai po me këtë material. Po në të njëjtën formë e vret edhe veten.
Regjisorja e shfaqjes, Zana Hoxha, ka thënë se krejt këto ngjarje vijnë edhe si pasojë e traumave nëpër të cilat ka kaluar protagonisti.
“Shfaqja ka të bëjë me një person fatkeq, Vojçekun, i cili ka kaluar nëpër trauma gjatë fëmijërisë së tij, të cilat vihen në pah dhe zmadhohen edhe më shumë kur ai bëhet pjesë e një eksperimenti mjekësor, për shkak të kushteve të vështira që e shtyjnë drejt këtij eksperimenti. Ai humb gjënë më të dashur në jetë – gruan e tij – e cila përfundon e vrarë nga ai dhe ai vret veten. Një fund tragjik, por mendoj se nuk mund të ketë një fund të lumtur pas kësaj”, është shprehur ajo.
Ka bërë të ditur se provat kanë nisur më 15 janar dhe se janë gjithsej 24 ditë prova për shfaqjen dyorëshe.
“Ka pasur angazhim maksimal nga tërë ekipi dhe jam shumë e lumtur me rezultatin sepse ky teatër është i vetmi i tillë në Kosovë me këto përmasa infrastrukturore. E di që publiku sonte është emocionuar, jam emocionuar edhe unë dhe kemi arritur të nxjerrim më të mirën që kemi mundur. Është realizuar koncepti im dhe ajo çfarë unë kam dashur me këtë shfaqje. Besoj se sonte ka ardhur një frymë e kësaj shfaqje edhe te publiku”, ka thënë regjisorja Hoxha.
Në shfaqje ka edhe skena humori midis aktorëve, por me të njëjtin efekt nuk përcillen te publiku.
Hoxha ka thënë se këto skena qëllimisht nuk janë zmadhuar.
“Në të njëjtën kohë paralelisht ndodhin gjëra shumë të dhimbshme dhe ato momente humori janë me cinizëm, me sarkazmë dhe nuk kemi dashur t’i rrisim ato më shumë sepse pastaj del që personazhi mund të jetë edhe më tragjik sesa është. Mendoj se e kemi bërë një shfaqje e cila lirisht mund të reprezentojë Gjakovën në shumë nivele”, ka thënë regjisorja.
Muzika e shfaqjes është kompozuar nga Tomor Kuçi, ndërsa lëvizjet skenike janë nga Nicoletta Bonanni nga Anglia. Skenografinë dhe kostumet i ka punuar anglezja Grace Rumsey.
“Bashkëpunimi ka shkuar shumë mirë që nga fillimi. E kemi dizajnuar bashkë si pjesë e një projekti konceptual dhe pastaj Zana më tha se me të vërtetë do ta bëjmë këtë skenografi. Është nder ta punoj në këtë teatër kaq të mrekullueshëm, veçmas që ky është dizajni i parë profesional i imi”, është shprehur Grace Rumsey.
“Vojçeku” i Büchnerit konsiderohet si një nga dramat më të interpretuara dhe më me ndikim në letërsinë gjermane. Sipas të dhënave për shfaqjen, autori u frymëzua nga historia e vërtetë e Johann Christian Woyzeck, parukier dhe ushtar i Lajpcigut, i cili në vitin 1821, si shkak i xhelozisë, vrau Christiane Woost me të cilën bashkëjetonte.
Büchner e shkroi tekstin e shfaqjes në vitin 1836, por mbeti i papërfunduar si pasojë e vdekjes së tij nga tifoja në shkurt 1837. Por ai do të sqaronte qëllimet e tij për veprën nëpërmjet një letre që do të linte pas.
“Unë nuk e përbuz askënd, veçanërisht për shkak të intelektit ose edukimit, pasi nuk është fuqi e askujt që të mos bëhemi kryetarë ose kriminelë – sepse në të njëjtat kushte do të bëheshim të gjithë të njëjtë, ose sepse nga jashtë kushtet na gënjejnë të gjithëve”, do të shkruante autori Büchner.
Një mesazh të tillë e lë si jehonë edhe “Vojçeku” i Gjakovës.