Aktivizëm Evente

30 aktivitete në gjashtë ditë mbyllin FemArt 12 me thirrjen për paqe

16 Tetor, 2024

25-30.09.2024

Sivjet shënuam 12 vjet të aktivizmit artistik feminist përmes Festivalit FemArt. Mbi 200 artiste/ë dhe aktiviste/ë nga 20 shtete të ndryshme u bashkuan në 30 aktivitete, duke dhënë një copëz nga shpirti i tyre në përpjekjet tona për barazi, drejtësi, dhe paqe, përmes motërzimit si sintezë në një kohë kur vlerat njerëzore cyten nga luftërat, tensionet e shtypja.

“Motërzimi: N’kohë Lufte dhe Paqe” ishte tema e sivjetme e Festivalit që lidhi aktiviste/ë dhe artiste/ë nga ngjarja në ngjarje, nga një teatër në tjetrin, nga teatri në galeri e nga galeria në bibliotekë e deri në kinema ku u shfaqën filma, u mbajtën diskutime feministe, koncerte muzikore, ekspozita, shfaqje teatrore, performanca, punëtori, konferenca dhe publikime.

Përgjatë gjashtë ditëve, 25-30 Shtator, 2024  – Klan Arena, Teatri Oda, Teatri Dodona, Termokissi, Kino Armata, Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, Galeria e Fakultetit të Arteve, Hotel Grandi, Fakulteti i Arteve, Hapësirat e Ansamblit Shota, Shkolla Finlandeze, Ambasada e Luksemburgut, Instituti Francez e Parku Heroinat – ishin pikëtakimet tona për reflektim, diskutim, argëtim, shkëmbime kulturore e shpirtërore.

Siparin e edicionit të 12-të të Festivalit FemArt e hapi Barcelona Flamenco Balet nga Spanja, me performancën “Carmen”  – një himn i lirisë dhe thirrje për fuqizim të gruas. Siç shkruan edhe Gili Hoxha në bllogun e saj “Carmeni kur është në duet jep gjithçka nga vetja për të mbajtur pasionin e dashurisë. Por, kur mbetet e vetme i ka po aq të thella përpjekjet e lëvizjet në kërkim të lirisë dhe autonomisë. Është një Carmen që e mbron lirinë. Një Carmen që e çmon atë. Rebele. E zhytur në botën e saj. Muzika ritmike me elemente të muzikës tradicionale spanjolle edhe hiç pa e kuptuar të bind që është një himn lirie”.

Normat shoqërore, e shtypja nga patriarkati u sfiduan përmes performancave e shfaqjeve teatrore, ndër to; “E Qeshura e Madhe” nga Xixi Xiao, e cila zbarkoi në Parkun e Heroinave në ditën e dytë të Festivalit, shfaqja teatrore “Bota Pa Gratë” nga artistet serbe Olga Dimitrijevic dhe Maja Pelevic, premiera e shfaqjes dans teatër “O Zot, O Zot, O Zoja e Shpisë” nga Robert Nuha, shfaqja teatrore “Sonny” nga artistja sllovene Natasha Zhivkoviq, shfaqja teatrore “Revoltë. Ajo Tha. Revoltohu Sërish” me regji nga Zana Hoxha, e shfaqja “Speculum” nga artistet franceze Caroline Sahuquet, Delphine Biard, dhe Flora Grimaud. Ato përçonin një mesazh të përbashkët – thirrjet për liri, barazi e drejtësi në një botë që mbizotëron paqja e solidariteti me gratë e për gratë.

Programi i pasur i FemArt në këtë edicion ka prekur edhe temat e emigrimit përmes shfaqjes “Dua Një Vend” me regji të Ema Andreas nga Shqipëria, atë të ekzistencës përmes performancës “Në Përkujtim” nga Sylvia Camarda, e cila në çdo lëvizje, në çdo hap, në çdo gjest kapërceu kufijtë e jetës dhe vdekjes, duke na çuar në një udhëtim tërheqës nëpër fazat e metamorfozës njerëzore. Në këtë performancë vdekja u shndërrua në një valle qiellore, ku çdo lëvizje tregoi një histori shprese, qëndrueshmërie dhe ripërtëritjeje.

Përveç tyre, publiku i FemArt sivjet pati rastin të reflektojë edhe mbi temat e luftës dhe paqes, si dhe të drejtat e komunitetit LGBTQI+ përmes ekranit në Kino Armatës, në të cilin u shfaqën për dy ditë të ndryshme filma në zhanre e tema të ndryshme; dokumentari “Të Trajnuara Për Të Parë: Tre Gra Dhe Lufta” nga Luzia Schmid, filmi i shkurtër i animuar “Rrëfimi Im” nga Géraldine Charpentier, film i shkurtër “Një Motër” nga Delphine Girard, film i Shkurtër “E Përkohshmja” nga Jorge Muriel, filmi “Paslufta” nga Birgitte Stærmose, filmi “Aktori Kryesor” nga Paula Markovitch, dhe dokumentari “Arti i Takimit” nga Marinka Limat. 

FemArt sivjet ishte një hapësirë edhe për mësim e fuqizim profesional të artistëve të rinj, duke organizuar punëtori të ndryshme. Artistet/ët Sylvia Camarda, Shpëtim Selmani, Attila Antal, Xixi Xiao dhe Georgina Kakoudaki pasuan njohuritë e tyre artistike tek pjesëmarrësit në punëtori, duke krijuar një hapësirë inspirimi për gjeneratat e ardhshme të artivizmit feminist.

Panelet e diskutimit dhe Konferenca për Paqe ishin zë i grave aktiviste nga rajoni dhe bota, i thirrjeve për paqe, drejtësi e barazi shoqërore. Kontributi i grave për paqe në kohë të konflikteve dhe luftërave ishte kryefjala e kësaj ngjarje që bëri bashkë aktivistet feministe nga Kosova, Serbia, Ukraina e Palestina. 

“Femicidi”, “Zëri i Poeteshave: Solidaritet dhe Fuqizim përmes Poezisë”, si dhe “Përtej Barrierave: Gjithëpërfshirja në Kulturë dhe Art” e publikimi i Manualit për persona të verbër dhe me shikim të dobësuar, ishin panelet e diskutimit që bënë bashkë aktiviste dhe personalitete nga institutcione të rëndësishme për të trajtuar këto tema me ndjeshmëri e rëndësi të veçantë në shoqërinë tonë. Ato shërbyen për reflektim e inspirim, për t’u angazhuar përditshëm që ta bëjmë shoqërinë tonë më të mirë për të gjithë. 

Kurse, përmes publikimit të Monografisë, ekspozitës dhe panelit të diskutimit, FemArt nderoi e njohu kontributin dhe përkushtimin e shumë grave artiste dhe aktiviste, të cilat kanë endur copëza të shpirtit të tyre në faqet e këtij libri. Përmes Monografisë, me redaktore Ivana Biliq, jo vetëm ruajmë kujtimet, por ndërtojmë një mostër të përjetshme të forcës dhe guximit feminist, që rezonon përtej kohës. Kjo ekspozitë, e kuruar nga Berat Bajrami, ishte festim i një dekade të aktivizmit artistik feminist në Kosovë, përmes Festivalit FemArt. 

Festa e FemArt u ndriçua me magjinë e muzikës së Lucia de Carvalhos dhe Vjollca Robelli – Mripës (AJO), që sollën koncertet e tyre “Pwanga”, përkatësisht “Gërshetat”. Një rrugëtim në të kaluarën e plot shpresë për të ardhmen. 

FemArt është një platformë për artiste/ë dhe aktiviste/ë që të krijojnë ura të bashkëpunimit. Kjo nuk ishte ndryshe as në këtë edicion. Ato/Ata patën rastin për të krijuar lidhje, shkëmbyer ide dhe nxitur bashkëpunime në “Natën e Rrjetëzimit” që u mbajt patronazhin e Ambasadës së Luksemburgut në Prishtinë, që u shoqërua nën tingujt e DJ Matale.

Duke shprehur mirënjohjen e thellë për të gjithë donatorët, sponsorët e partnerët institucional, Zana Hoxha, themeluese dhe drejtore e Festivalit FemArt ka shprehur entuziazmin e saj edhe për një edicion të suksesshëm të Festivalit FemArt.

“Jam jashtëzakonisht shumë e kënaqur me ekipin, normalisht se jemi të rraskapitur në fund, por jashtëzakonisht të kënaqur me vlerat artistike dhe temat që u ndërthurën dhe u trajtuan. Në veçanti tema e sivjetme gjeti një lloj empatie shumë të madhe te publiku dhe jam e lumtur që gjithçka ka shkuar siç e kemi pritur, në disa raste edhe më mirë sesa pritëm. Jam e lumtur që e mbyllëm sonte festivalin, gjashtë netë me 30 aktivitete”, ka thënë Zana Hoxha. Festivalit nuk i kanë munguar as mysafirë nga vende të ndryshme të Evropës dhe përtej kësaj që kanë ardhur për ta ndjekur festivalin. Për të dëshmuar që “motërzimi” shpesh del përtej familjes dhe përtej kufijve shtetëror.

U jemi mirënjohës edhe publikut të FemArt, që sivjet mbi 2000 persona në audiencë u zhytën në magjepsjen e tingujve të larmishëm muzikorë, imazhe të rrugëtimit feminist e histori të “FemArt”-it në libër, diskutime që ngjallin reflektim e histori që na bashkojnë në motërzim.

REZULTATET KRYESORE TË FEMART 12

30 aktivitete
214 artiste/aktiviste/staf teknik (114 gra; 100 burra)
25 vullnetare/ë (14 gra; 11 burra)
2033 ndoqën fizikisht FemArt 12
68 artikuj të mediave
të publikuara
14 blogje të publikuara
20 shtete pjesëmarrëse: Kosova, Shqipëria, Spanja, Franca, Angola, Kina, Britania e Madhe, Gjermania, Belgjika, Luksemburgu, Bosnja dhe Hercegovina, Sllovenia, Greqia, Danimarka, Meksika, Zvicra, Ukraina, Kroacia, Palestina dhe Turqia.

Shtrirja në rrjete sociale:
Facebook:

  • 511.9K persona të arritur
  • 4.7K ndërveprime të përmbajtjes
  • 2.3K klikime
  • 14.2K vizita në Facebook
  • 198 ndjekës të rinj
  • 1,691,218 reagime/përshtypje

Instagram:

  • 113.2K persona të arritur
  • 5.2K klikime në lidhje
  • 1.8K vizita në profil
  • 9.4K ndjekës të rinj

Twitter:

  • 1,859 shikime

You may also like