Fondi Fondi për Art Feminist

“In Between” nga Agnes Nokshiqi

14 Qershor, 2023

13.06.2023

E vërteta e thënë zëshëm, hap rrugë për humanizëm dhe mirëkuptim! Ky ishte mesazhi që përcolli artistja e mirënjohur Agnes Nokshiqi përmes performancës së saj të fundit “In Between”. 

Të martën mbrëma, më 13 qershor, 2023 publiku ishte mbledhur në katin përdhese të Bubble Pub, për të përcjellë këtë shfaqje intime, që bënte fjalë për të kaluarën e një gruaje të sprovuar nga jeta. I vendosur brenda hapësirës skenike publiku u bë pjesë aktive e ngjarjes. 

Performanca shpirtërore e Agnesit, me pak lëvizje, i ngjante impulseve të mëdha të ndjenjës origjinale që kishte për qëllim të krijonte kjo performancë. Kryesisht e shtrirë dhe e lodhur Agnesi për pesëdhjetë minuta arriti të prezentonte metafora të dhimbjes, një shpërfaqje e dhimbjes njerëzore, sfidave e pikëpyetjeve të mëdha drejt njohjes së vetes. 

Në pjesën e dytë të shfaqjes ajo filloi të bënte pyetje personale për të pranishmit, si: “Për çka jeni pishman?”, “Cili moment i jetës tënde të definon ty?”, “A je gati me tregu me trup ato që nuk mundesh me i thonë me fjalë?”. Të mbërthyer nga personalja e tyre, publiku u përgjigj në mënyrën më të sinqertë, që rezultoi me përqafime të gjata me aktoren në skenë, që në fund la shijen dhe mesazhin që e vërteta e thënë zëshëm, hap rrugë për humanizëm dhe mirëkuptim!

Kjo performancë u mbështet nga Fondi për Art Feminist i organizatës Artpolis, i cili përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.

#artpolis #art #community #feminist #found #kcsf

You may also like