Nga rrënojat e luftës tek qëndrueshmëria, “Gratë e Trojës” me…
6 Nëntor, 2024
20.10.2023
Të premten mbrëma Teatri Dodona në Prishtinë u shndërrua në hapësirë feministe. “Fefu dhe Shoqet e Saj” u mblodhën për të sjellë para audiencës një vështrim të thellë të botës së grave, barazinë gjinore, e mbi të gjitha shpalosën rrëfime emocionuese mbi rolin e gruas brenda sistemit patriarkal, e domosdoshmërisë së saj për liri.
Me regji të Arlinda Morinës – Likit kjo shfaqje shpërfaq edhe çështje të pritshmërisë së shoqërisë ndaj grave, padrejtësitë e pushtetit dhe sfidat e grave për ta gjetur veten në një shoqëri të mbushur me pabarazi. “Fefu dhe Shoqet e Saj”, me autorësi të Julies Aaron dhe Maria Irene Fornes, ofron një dritare të rëndësishme të shtypjes së patriarkatit dhe çlirimit përmes feminizmit, dhe na bën të reflektojmë mbi normat dhe strukturat shoqërore që pengojnë barazinë gjinore.
“Fefu dhe Shoqet e Saj”, produksion i Artpolis, shënoi kulminacionin pikërisht në momentin kur gratë bashkuan forcat, dhe njëzëri protestuan kundrejt shtypjes, patriarkatit e dhunës së shumëfishtë. Fefu (Aurita Agushi), Cindy (Zhaneta Xhemajli), Christina (Qendresa Kajtazi), Juli (Donikë Ahmeti), Ema (Vlora Dervishi), Cecilia (Blerta Gubetini), Paula (Dora Xhemajli) u bashkuan në solidaritet me të gjitha gratë duke kënduar “‘Po na vjen behari’ – po përmbyset patriarkati, liria po vjen, s’ka pushtet që mbrapa ne na kthen, shtypjes suaj fundi po i vjen!”.
Teksa këndonin ato valëvisnin edhe flamujt e komuniteteve të LGBTQI+. Një përjetim i tillë teatror na inkurajon të reflektojmë mbi diversitetin dhe dallimet brenda shoqërisë, duke bërë thirrje të angazhohemi përditshëm drejt një shoqërie më të hapur dhe të drejtë.
Repriza tjetër e “Fefu dhe Shoqet e Saj” do të jetë më 25 tetor nga ora 19:30 në Teatrin Dodona.
📸 Esad Duraki