Forum Teatri

“Plani Sekret” me mesazhe mbi ndikimin politik në sistemin arsimor

15 Dhjetor, 2025

12.12.2025

Shfaqja forum-teatër “Plani Sekret”, e prezantuar nga Klubi Teatror në Suharekë, ishte një eksperiencë e paharruar për të rinjtë dhe të rejat që morën pjesë. Para një audience prej rreth 140 personash, nxënësit u angazhuan jo vetëm në interpretim, por edhe në diskutim të drejtpërdrejtë me personazhet, duke reflektuar mbi temat që prekën pushtetin, influencën dhe kontrollin brenda hapësirës së edukimit.

Në një shkollë ku rregullat duhej të ishin të qarta, shfaqja shpalosi një plan sekret, një mekanizëm të padukshëm që ndërthurte mashtrimet, ambiciet dhe lojërat politike me jetën e përditshme të nxënësve. Publiku u bë pjesë e lojës, sfiduan personazhet dhe hapën një dialog të gjallë mbi atë që ndodh kur edukimi nuk i shërben më dijes, por interesave të fshehta.

Të rinjtë e Gjimnazit “Jeta e Re” dhe Institucionit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional “Abdyl Ramaj” – Albi, Andi, Ariola, Altina, Diar, Diona, Ela, Erdonesa, Erina, Eros, Ledjona, Leonida, Muhamet, Nora, Orgesa, Rigon, Tringa dhe Vanesa – nën mentorimin e aktorëve Ismail Kasumi dhe Edona Sopaj, shfaqën guxim, energji dhe një përkushtim të jashtëzakonshëm, duke kthyer skenën në një hapësirë ku secili ndjeu se kishte një rol aktiv në historinë që zhvillohej.

Të rinjtë e Klubit Teatror në Suharekë e konsideruan këtë përvojë si një udhëtim të paharrueshëm, që jo vetëm i sfidoi artistikisht, por i përgatiti për të kuptuar fuqinë e teatrit si mjet për diskutim dhe ndryshim.

Ky aktivitet u organizua nga Artpolis në bashkëpunim me Komunën e Suharekës me mbështetje të Frieda dhe Ministrisë së Kulturës.

You may also like