Fragmente nga provat e “Kabare 1999”
24 Dhjetor, 2025

04.02.2026
Në një atmosferë shkëmbimi njohurish dhe përvojash ndërdisiplinore, zyret e Artpolis u bënë pikë takimi mes botës akademike, artit bashkëkohor dhe aktivizmit feminist. Stafi i Artpolis – Venera Ismaili, Elira Lluka dhe Berat Bajrami – mirëpriti profesorë nga Universiteti i Trakisë (Komotini, Greqi), së bashku me prof. Vjollca Krasniqi nga Universiteti i Prishtinës, në kuadër të programit ERASMUS+ Exchange.
Gjatë vizitës, profesorët u njohën më nga afër me punën shumëvjeçare të Artpolis, projektet artistike dhe sociale, si dhe qasjen feministe që përshkon filozofinë dhe veprimtarinë e organizatës. Diskutimet u fokusuan në ndërthurjen e artit me aktivizmin feminist, rolin e kulturës në nxitjen e ndryshimeve shoqërore dhe ndikimin e Festivalit FemArt si një platformë ndërkombëtare për zërat feministë, artistikë dhe aktivistë.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe programit të Edukimit të Bazuar në Teatër, si një metodologji edukative dhe emancipatore që Artpolis e zhvillon me të rinjtë. Ky trajnim u prezantua si një formë aktive e angazhimit të të rinjve për ndryshime sociale, duke përdorur teatrin si mjet për reflektim kritik, vetë-shprehje dhe fuqizim qytetar.
Profesorët shprehën interes të veçantë për lidhjen e artit me punën sociale dhe edukimin, duke hapur diskutime konkrete mbi mundësitë e bashkëpunimit të ardhshëm ndërmjet Artpolis dhe institucioneve akademike, në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Vizita u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të urave të reja mes teorisë dhe praktikës, universitetit dhe komunitetit, artit dhe veprimit feminist.








