Aktivitetet Punëtoritë

Institucionet kulturore diskutojnë nevojat për teknikë në industrinë kreative

16 Mars, 2026

16.03.2026

Më 16 mars 2026, Artpolis organizoi në Prishtinë “Fokus Grupin III: Institucionet Kulturore, Kompanitë dhe Festivalet”, si pjesë e projektit “Design, Develop and Introduce a 3-Year Vocational Curriculum for Light and Sound Technician Profiles in the Formal Education System,” i mbështetur nga UNDP.

Ky takim mblodhi teknikë dhe dizajnerë ndriçimi dhe zërimi, skenografë dhe përfaqësues të teatrove dhe festivaleve për të diskutuar rritjen e kërkesës për profesionistë të kualifikuar në këto fusha.

Diskutimet evidentuan mungesën e theksuar të teknikëve të trajnuar dhe nevojën gjithnjë e më të madhe për aftësi multimediale, që kombinojnë ekspertizën tradicionale në ndriçim dhe zërim me njohuritë në audio dhe video. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e trajnimeve praktike, terminologjisë së standardizuar, sigurisë në vendin e punës dhe programeve të mentorimit.

Fokus Grupi gjithashtu nënvizoi potencialin e këtyre profesioneve për të tërhequr të rinj të talentuar, duke theksuar se programe trajnimi të dizajnuara mirë dhe laboratorë praktikë të dedikuar mund të krijojnë mundësi të vlefshme punësimi dhe të mbështesin zhvillimin profesional afatgjatë.

Kjo iniciativë është pjesë e projektit Industria Kreative, i financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe zbatohet nga UNDP Kosovo. Projekti synon të avancojë aftësitë dhe kompetencat e të rinjve dhe të rejave duke hartuar, përshtatur dhe prezantuar kurse pilot brenda sistemit të arsimit formal, të cilat adresojnë boshllëqet e aftësive në industritë kreative (IK). Përmes partneriteteve mes institucioneve arsimore dhe industrisë, projekti ofron gjithashtu programe për zhvillimin e aftësive dhe rifreskimin e tyre, mundësi për të mësuar gjatë gjithë jetës, si dhe mbështetje në formë trajnimi dhe mentorimi.

You may also like