“Kabare 1999”, me reprizën e radhës në Teatrin e Gjilanit
26 Maj, 2026

25.05.2026
Pas reprizave të mbajtura ne muajin prill në Teatrine e Qytetit të Gjilanit, shfaqja “Kabare 1999”, me regji nga Zana Hoxha, vazhdoi rrugëtimin e saj artistik edhe gjatë muajit maj, me reprizën e radhës të realizuar më 25 maj 2026. Kjo shfaqje vazhdoi të tërhiqte interesimin e publikut, duke sjellë në skenë një rrëfim të fuqishëm e emocional mbi realitetin e Kosovës së pasluftës dhe sfidat e një shoqërie që përpiqet të rindërtojë veten pas traumave të luftës.
E bazuar në veprën “Cabaret” të Joe Masteroff, “Kabare 1999” e zhvendos ngjarjen nga Berlini i viteve ’30 në Prishtinën e vitit 1999 – një qytet i sapodalë nga lufta, i mbushur me mungesa, kujtime dhe përpjekje për të rifilluar jetën. Përmes personazheve dhe ngjarjeve, shfaqja trajton tema të rëndësishme si kujtesa kolektive, humbja, liria dhe rezistenca, duke krijuar një dialog të ndjeshëm mes së kaluarës dhe së tashmes.
Si bashkëproduksion i Artpolis dhe Teatrit të Qytetit të Gjilanit, “Kabare 1999” vazhdoi të dëshmojë fuqinë e teatrit si një hapësirë reflektimi dhe diskutimi shoqëror, duke krijuar një përvojë që jo vetëm argëton, por edhe nxit pyetje dhe reflektim tek publiku. Repriza e 25 majit shërbeu si vazhdim i këtij angazhimi artistik, duke rikthyer në skenë një histori që vazhdon të mbetet aktuale dhe e rëndësishme për publikun.













