“Historitë tona, skena jonë”
8 Qershor, 2026
25 Qershor, 2026

24.06.2026
Më 24 qershor 2026, në Teatrin Dodona në Prishtinë, u mbajt punëtoria “Teatri Playback: Historitë që na formësojnë”, e udhëhequr nga Zana Hoxha dhe Albana Gashi.
Përmes metodologjisë së Teatrit Playback, 17 pjesëmarrës ndanë histori personale, reflektuan mbi identitetin, sfidat dhe aspiratat e tyre, ndërsa ushtrimet e besimit, dëgjimit aktiv dhe improvizimit krijuan një atmosferë të sigurt për shprehje dhe bashkëndjesi. Pyetjet rreth personit që dëshirojnë të jenë dhe pengesave që kanë hasur hapën rrugë për biseda të sinqerta dhe lidhje të thella mes grupit.
Një nga momentet më domethënëse ishte ushtrimi “Ashtu si unë”, ku pjesëmarrësit ndanë përvoja të diskriminimit, paragjykimit, frikës, vetmisë dhe dhunës, por edhe histori rezistence, shprese dhe mbijetese. Gjatë reflektimeve, shumë prej tyre theksuan se për herë të parë ndiheshin të dëgjuar, të kuptuar dhe të vetëdijshëm se nuk ishin vetëm në përvojat e tyre.
Në pjesën praktike të punëtorisë, emocionet u shndërruan në imazh, lëvizje dhe zë përmes formave të Teatrit Playback, ndërsa historitë personale u interpretuan nga grupi, duke i kthyer përvojat individuale në një përvojë kolektive. Histori të diskriminimit, paragjykimit, frikës nga skena, dhunës, por edhe të këmbënguljes, fuqizimit dhe arritjeve, u bënë dëshmi se arti mund të krijojë hapësira ku dhimbja transformohet në forcë dhe solidaritet.
Punëtoria dëshmoi fuqinë e Teatrit Playback për të ndërtuar komunitet, për të nxitur dialog dhe për të krijuar një hapësirë ku çdo histori dëgjohet, respektohet dhe bëhet burim frymëzimi për të tjerët.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projekti WAVES, që bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian. Megjithatë, pikëpamjet dhe opinionet e shprehura janë vetëm të autorit/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Bashkimit Evropian apo të Agjencisë Ekzekutive për Arsimin dhe Kulturën e Bashkimit Evropian (EACEA). As Bashkimi Evropian dhe as EACEA nuk mbajnë përgjegjësi për to.

































