Aktivitetet Punëtoritë

Hap i rëndësishëm drejt standardizimit të profesionit për teknikët e ndriçimit dhe zërimit

26 Qershor, 2026

25.06.2026

Më 25 qershor 2026, në Prishtinë, u mbajt punëtoria në kuadër të projektit “Hartimi, Zhvillimi dhe Prezantimi i një Kurrikule Profesionale 3-Vjeçare për Profilet e Teknikëve të Ndriçimit dhe Zërimit në Sistemin Formal të Edukimit”.

Fokusi kryesor i punëtorisë ishte prezantimi, shqyrtimi dhe përmirësimi i Standardit të Profesionit për teknikët e ndriçimit dhe zërimit, një dokument kyç që përcakton kompetencat, njohuritë dhe aftësitë profesionale të nevojshme për këtë profil në përputhje me kërkesat e tregut të punës dhe zhvillimet bashkëkohore në industrinë e arteve skenike. Pas finalizimit, i njëjti dokument do të dërgohet për validim, dhe i cili do të jetë baza e hartimit të kurrikulës.

Punëtoria u hap nga Berat Bajrami dhe Zana Hoxha, të cilët prezantuan procesin e hartimit të standardit, sfidat e hasura dhe rekomandimet e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Më pas, Besa Luzha dhe Tomor Kuçi prezantuan draftin e Standardit të Profesionit, duke zhvilluar diskutime të hapura me përfaqësues të institucioneve publike dhe sektorit të arsimit profesional.

Përmes komenteve dhe propozimeve konkrete të pjesëmarrësve, standardi u pasurua me rekomandime që synojnë ta bëjnë atë më të zbatueshëm, më të qartë dhe më të përafruar me nevojat reale të profesionit. Gjithashtu u diskutua edhe hapat e mëtutjeshëm për hartimin e kurrikulës.

Ky proces përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi të qëndrueshëm të edukimit profesional për teknikët e ndriçimit dhe zërimit, duke kontribuar në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe në rritjen e cilësisë së sektorit të arteve skenike dhe industrisë kreative në Kosovë.

Kjo iniciativë është pjesë e projektit Industria Kreative, i financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe zbatohet nga UNDP Kosovo. Projekti synon të avancojë aftësitë dhe kompetencat e të rinjve dhe të rejave duke hartuar, përshtatur dhe prezantuar kurse pilot brenda sistemit të arsimit formal, të cilat adresojnë boshllëqet e aftësive në industritë kreative (IK). Përmes partneriteteve mes institucioneve arsimore dhe industrisë, projekti ofron gjithashtu programe për zhvillimin e aftësive dhe rifreskimin e tyre, mundësi për të mësuar gjatë gjithë jetës, si dhe mbështetje në formë trajnimi dhe mentorimi.

You may also like