Artpolis

Artpolis e nominuar për çmimin prestigjioz “Simone Veil”

10.03.2021

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis është e nderuar për nominimin e bërë nga Ambasada Franceze dhe Aleanca Franceze e Prishtinës për çmimin prestigjioz “Simone Veil”, në kontributin e dhënë për shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese në shoqërinë tonë.

Të nominuar ishin shumë organizata dhe aktiviste nga e mbarë bota përderisa laureate e çmimit “Simone Veil”, me 8 mars, u përzgjedh politikanja dhe aktivistja afgane znj. Habiba Sarabi. Përgëzime!

Me këtë rast, në muajin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, me 10 mars, drejtoresha ekzekutive e Artpolis-it, znj. Zana Hoxha ishte pjesë e tryezës së rrumbullakët me temë: “Dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave: çfarë evolucioni?”, e organizuar nga Ambasada e Francës dhe Aleanca Franceze e Prishtinës.
Pjesëmarrëse ishin edhe znj. Marie-Christine Butel, ambasadore e Francës, znj. Julie Dénès, shkrimtare dhe aktiviste (pjesëmarrje virtuale), dr. Drita Lumi, mjeke në qendrën e mjekësisë familjare në Ferizaj dhe znj. Visare Mujko-Nimani, shefe e zyrës së Fondit të Kombeve të Bashkuara për popullsinë (UNFPA) në Kosovë.

“Dhuna është dinamike. Nëse identifikohet dhe raportohet me kohë ajo nuk mund të zgjerohet” – ndër të tjera tha dr. Drita Lumi, gjatë diskutimit. Ndërkaq, znj. Visare Mujko – Nimani e potencoi që fuqizimi I grave dhe ngritja e tyre është vetëm gjysma e rrugës. Duhet edhe burrat të përfshihen në fuqizim, të mobilizohen që ti përkrahin gratë.

Aleanca Franceze në postimin e tyre theksuan: Një vit pas masave të para të lidhura me pandeminë, ky shkëmbim i frytshëm i dëshmive dhe përvojave franceze dhe kosovare nxorri në pah se pavarësisht përpjekjeve të shumta të ndërmarra në vitet e fundit, përfshirë fenomenin fantazëm pandemik (rritja e rasteve të dhunës në familje kudo në botë gjatë karantinimit), kishte akoma shumë për të bërë në disa nivele përfshirë: edukimin për të drejtat seksuale dhe riprodhuese dhe shëndetin si dhe dhunën në rrjetet sociale; një kujdes më i mirë për viktimat me një qasje multidisiplinare duke shmangur viktimizimin e dyfishtë dhe krijimin e një mekanizmi për monitorimin e agresorëve.

Foto Galeri

0Shares