“Vojçeku” ngjitet me sukses në skenën e Festivalit “MOISIU”
24 Nëntor, 2025

25.11.2025
Artpolis ka nisur sot Fushatën Ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, duke vendosur në fokus studentët dhe hapësirën universitare. Me shpërndarjen e postereve informuese “Du Studime Pa Ngacmime” në 14 fakultete të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kjo nismë shënon hapin e parë drejt një fushate që synon vetëdijësim, mbrojtje dhe veprim të përbashkët.
E realizuar në bashkëpunim me Uiversitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Parlamentin Studentor dhe me përkrahjen e UNFPA-së, kjo iniciativë informuese sjell më afër studentëve të gjitha informacionet rreth Rregullores për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Ngacmimi Seksual dhe Ngacmimi në UP: çfarë konsiderohet ngacmim, si identifikohet, dhe cilat janë hapat e raportimit.
Për mediat Ekonomia Online dhe Kosovapress, Drilona Hamiti, asistente kreative në Artpolis dhe Kryetare e Parlamentit Studentor, theksoi se kjo formë informimi e bën procesin më të shpejtë, më të sigurt dhe më të qasshëm për çdo student, duke forcuar angazhimin për një mjedis universitar të dinjitetshëm dhe pa ngacmime.
“Kjo iniciativë synon ta bëjë procesin e informimit dhe raportimit më të shpejtë, më të sigurt dhe më të arritshëm për secilin student, duke ofruar qasje të drejtpërdrejtë në të gjitha burimet e nevojshme. Artpolis dhe Parlamenti Studentor i UP mbeten të përkushtuar në krijimin e një mjedisi universitar të sigurt, të dinjitetshëm dhe pa ngacmime, duke vazhduar punën drejt fuqizimit të studentëve dhe përforcimit të mekanizmave të raportimit”, ka thënë ajo.
Ndërsa Ismet Krasniqi, Kryetar i organizatës studentore “Reforma”, nënvizoi rëndësinë e njohjes së Rregullores dhe lehtësimit të qasjes në këtë dokument si pjesë thelbësore për një universitet të sigurt.
Me këtë hap, Artpolis dhe partnerët e saj riafirmojnë përkushtimin për një universitet ku secili student ndihet i sigurt dhe i informuar drejtë duke rikujtuar se lufta kundër ngacmimit seksual fillon me ndërgjegjësim, transparencë dhe veprim.
Kjo iniciativë është organizuar nga Artpolis në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe Parlamentin Studentor me mbështetje të UNFPA-së.








