Aktivitetet Aktivizëm Iniciativat

Dita Botërore e Librit – Prishtinë / 2014

23 Prill, 2014

“Dukagjini”, “Dit’e Nat”, “Buzuku”, “Titanik”, “ Toena”, dhe shitës të pavarur, ishin pjesëmarrës të këtij minipanairi që u mbajt në sheshin “Nënë Tereza”, dhe zgjati pesë orë

Suzana Berisha
Fotografitë: Ridvan Slivova

Dita Botërore e Librit ndër shumë aktivitetet e shënuara me 23 prill, kishte paraparë edhe hapjen e minipanairi të librarive dhe shtëpive botuese të Prishtinës. “Dukagjini”, “Dit’e Nat”, “Buzuku”, “Titanik”, “ Toena”, dhe shitës të pavarur, ishin pjesëmarrës të këtij minipanairi që u mbajt në sheshin “Nënë Tereza”, dhe zgjati pesë orë, duke u hapur në orën 11:00 për tu mbyllur në orën 16:00. Minipanairi ishte shumë i frekuentuar dhe vërehej që interesimi për librin dhe leximin e tij është shumë i lartë pavarësisht zërave që interneti po e dëmton leximin e tij.

Edhe pjesëmarrësit e minipanairit ishin shumë të kënaqur me interesimin e lexuesve. Sipas tyre edhe zbritja prej 20% për blerjen e librit ka ngjallur edhe një interesim më të madh.

Sabahate Çavdërbasha nga libraria “Dukagjini”, për KultPlus tha se interesimi është shumë i kënaqshëm.
“Jemi në sheshin “Nënë Tëreza’ në shenjë të shënimit të Ditës Botërore të Librit. Jam shumë e lumtur që po organizohet ky minipanair, jam e kënaqur shumë me frekuentimin dhe interesimin e njerëzve dhe lexuesve. Unë po vërejë lexues të rregullt që vijnë edhe në librarinë “Dukagjini”, edhe sot janë prezentë sepse ka një lirim 20 % dhe interesimi është i kënaqshëm” tha Çavdërbasha. Ajo porositi të gjithë të interesuarit për libra të blejnë libra dhe të lexojnë sa më shumë.

Ndërsa Azize Mehmeti nga libraria “Titanik”, u shpreh e kënaqur me frekuentimin dhe interesimin për libra.
“Është shumë mirë, gjërat kanë shkuar shumë mirë, edhe interesimi është i kënaqshëm. Ne kemi libra kryesisht të autorëve të huaj, tematika psikologjike, interesimi ka qenë shumë më i madh nga të rinjtë. Interesimi për të lexuar libra është i kënaqshëm. Porosia ime është lexoni sa më shumë libra, e sidomos libra psikologjik” tha për KultPlus Mehmeti.

You may also like