Blog

Drama “Top Girls”, për gratë e pushtetshme

3 Nëntor, 2022

03.11.2022

Skena e teatrit mori jetë dhe u mbush me gra të fuqishme, ishin aktoret e dramës “Top Girls”, të cilat përmes performancës së tyre moderne dhe klasike, arritën ta pasqyrojnë realitetin e të shikuarit të gjerë dhe të trajtimit që nga vegjëlia e burrit ndaj gruas si “pronë” në periudha të ndryshme të historisë së shoqërisë patriarkale.

Drama vjen si një tablo pikture e jetës së gruas në këto shoqëri, që tregon pasojën e shkatërrimit dhe shpeshherë edhe të degjenerimit të jetës së tyre nga burrat. Historikisht burrat janë rritur dhe edukuar që me forcën e të qenurit burrë të dominojnë e pa të drejtë të tregojnë forcën që ta shtypin kur të duan dhe si të duan gratë. Poashtu, të tregojë me mburrje dhe krenari egon burrërore dhe pushtetin që ka në familje e shoqëri.

Me regji të Shkurtë Aliut drama “Top Girls” prek edhe një element tjetër me rëndësi të patriarkatit – gratë nuk luftojnë mjaftueshëm për të drejtat e veta, që u takojnë me ligj. Ato iu nënshtrohem normave të patriarkatit. Megjithatë, në mënyrë indirekte ajo përçon mesazhin se gratë duhet ta udhëheqin vetë jetën e tyre, mos t’iu dorëzohen burrave as një herë pa dëshirën e pëlqimin miratues të tyre dhe në çfarëdo situate jetësore të dinë ta mbrojnë vetveten!

Realiteti shoqëror i thashethemeve dhe intrigave që vihet në pah nga gratë, vjen përmes kësaj drame, e cila pasqyron një të vërtetë ende ekzistuese dhe të errët për shoqërinë. Nisur nga fakti se jeta personale i takon vetëm individit askujt tjetër! Prandaj kërkohet nga gratë që këtë fenomen ta eleminojnë nga të folurit e përditshëm dhe kultura e tyre jetësore.

Edhe sot gruaja, në shoqërinë demokratike shpeshherë e ka trajtimin e ngjashëm, këtë e hasim në ato shoqëri, në të cilat ende në thelb mbizotërojnë elemente patriarkalizmi, e në mesin e këtyre shoqërive, fatkeqësisht bën pjesë edhe shoqëria e vendit tonë. Njerëzimit i duhet të reflektojë, e të punojë në drejtim të çlirimit njëherë e përgjithmonë nga errësira e patriarkalizmit.

#artpolis #SwedishEmbassy #CDF #humanrightivism #theatreperfromance #topgirls #blog #MimozëMusliu

You may also like