Përfaqësimet Projektet

Ekspozita “KALEIDOSCOPE” ndërlidhë rrëfime përtej kufijve

12 Dhjetor, 2023

08-11.12.2023

Prishtinë, Beograd, Novi Sad, 8-11 Dhjetor, 2023

Arti dhe të drejtat e njeriut u bashkuan në një prezantim të harmonizuar kur Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, dhe Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi shpalosën ekspozitën “KALEIDOSCOPE”. Duke filluar në Prishtinë më 8 dhjetor 2023, ekspozita vazhdoi rrugëtimin e saj për në Beograd më 10 dhjetor dhe në Novi Sad më 11 dhjetor.

Veprat e ekspozuara të nëntë artistëve të rinj janë rezultat i rrëfimeve personale të ndërthurura dhe herë pas here konfliktuale të individëve që jetojnë në dy kontekste të dallueshme, por gjithsesi të ndërlidhura. Ky është një bashkëpunim jo vetëm në nivel institucional, por, më e rëndësishmja, mes njerëzve që, duke kapërcyer kufizimet, frikën dhe paragjykimet e mundshme, u angazhuan në një dialog.

Yllka Haxhiu, Nevena Deliq, Arilda Bajrami Sadriu, Emnesa Rrukiqi, Marija Mladenović, Butrint Pasha, Learta Ibraj, Ana Novakovíc dhe Zana Berisha bashkëpunuan me njëri/a-tjetrin/ën duke sjellë në jetë narrativat e tyre personale, ku takohen e kaluara dhe e ardhmja. Përmes “Kaleidoscope” ata sollën një perspektivë alternative për shoqërinë në Ballkan.

Marija Mladenović nga Vranja/Serbi, theksoi se ndërsa të kuptuarit dhe festimi i dallimeve shihet shpesh si një arritje, përvoja e saj tregoi se jo të gjitha dallimet e garantojnë festën ndërsa rriteshin dhe mësonin së bashku.

“Duke qenë pjesë e këtij projekti, kuptova se arritja më e madhe mes nesh, pjesëmarrësve, do të ishte (edhe pse është një klishe) të kuptuarit dhe kremtimin e dallimeve tona. Por, ndërsa u njohëm më mirë dhe ndërsa u rritëm së bashku në një farë mënyre, mësova se jo të gjitha dallimet janë aty për t’u festuar. Për shembull, kishte një ndryshim të madh në përvojat tona të jetës midis shoqes sime Arilda dhe unë që thjesht nuk mund ta pranoja. Unë kurrë në jetën time nuk kam pasur një përvojë që të më drejtohet një armë në kokën time, dhe ajo, shoqja ime e dashur e ka kaluar këtë si fëmijë”, ka thënë ajo.

Yllka Haxhiu, nga Gjakova/Kosovë, theksoi natyrën transformuese të ekspozitës, duke tejkaluar pritjet dhe duke çuar në mësime të vlefshme dhe mundësi të reja përmes pjesëmarrjes së saj në programin Icebreakers.

“Pas çdo eksperience të bukur, ju merrni mësime të vlefshme. Gjithmonë ka një herë të parë dhe ekspozita i tejkaloi pritjet e mia. Pritja pozitive dhe njohja e projektit tim hapi mundësi të shumta të reja dhe të suksesshme për mua. Jam e kënaqur që mora pjesë në programin Icebreakers dhe që ekspozita u shpalos bukur”, ka thënë Haxhiu.

Kurse Emnesa Rrukiqi, nga Drenasi/Kosovë, u shpreh se kjo përvojë ia ndryshoi jetën, duke nxitur reflektim për të kaluarën dhe një besim të ri në aftësinë shëruese të artit, duke theksuar ndikimin e takimit me individë të shquar.

“Jam artiste nga Drenasi dhe dua të them që e gjithë kjo eksperiencë ka ndryshuar jetën time; më ka bërë të reflektoj nga e kaluara dhe të besoj në fuqinë shëruese të artit. Jam shumë krenare që kam marrë pjesë në këtë program sepse kam takuar disa njerëz të mrekullueshëm që s’do t’i harroj kurrë. Dua të shtoj që nganjëherë duhet të shkosh pikërisht aty ku të gjithë të thonë të mos shkosh. Jam shumë krenare për të gjithë kolegët e mi dhe të gjithë organizatorët. Faleminderit”, u shpreh ajo.

Nevena Delić nga Beogradi/Serbi, vuri në pah se si pjesëmarrja në programin e Icebreakers zbuloi mësime të papritura, veçanërisht në vlerësimin e zërave dhe opinioneve të ndryshme, duke kapërcyer dallimet gjuhësore dhe kulturore.

“Përvoja ime si pjesëmarrëse në programin Icebreakers hapi një dritare tjetër për mua përderisa më mësoi gjëra që nuk i prisja. Puna me njerëz nga një kontekst i ndryshëm por shumë i lidhur më ka mësuar të vlerësoj pluralitetin e zërave dhe opinioneve, jo vetëm në lidhje me gjuhën dhe kulturën. Isha më se e gatshme të angazhohesha dhe të punoja me njerëz nga Kosova, por miqësitë dhe lidhjet njerëzore që dolën prej saj i tejkaloi pritshmëritë e mia. Edhe pse ekspozita ishte sfiduese, jam jashtëzakonisht krenare për atë që arritëm të komunikojmë me publikun dhe me njëri-tjetrin”, tha Delić.

Programi, i cili zbatohet që nga marsi i vitit 2015, drejtohet nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHR), dhe gjatë tre viteve të ardhshme do të zhvillohet në bashkëpunim me Artpolis nga Prishtina dhe me mbështetjen e Bashkimit Europian.

You may also like