“E Bija”, me mesazhe kundër ngacmimeve dhe fuqizim të vajzave
7 Qershor, 2024
Gjatë gjithë historisë, grave anembanë globit u është dashur të luftojnë për siguri, jetesë dhe për të drejtat themelore që u takonin. Gjeneratë pas gjenerate jemi përballur me barrën jo-proporcionale të një ekonomie globale që mbështetet në dominimin tonë. Situata aktuale jo vetëm në regjionin tonë, por gjatë gjithë botës shfaq një përshkallëzim në sulmin e vazhdueshëm mbi drejtësinë sociale dhe ekonomike të gruas. Në epokën e ngritjes së politikave radikale të krahut të djathtë e në mesin e shumë çështjeve të tjera, mizogjinia po normalizohet, të drejtat riprodhuese po kërcënohen dhe krimet e urrejtjes ndaj grave po rriten.
Përballë këtij konteksti, Shkolla Pranverore Feministe siguron një hapësirë për lideret e ardhshme feministe që të bashkohen dhe të krijojnë një vizion të përbashkët për lëvizjen feministe në Kosovë dhe Serbi për t’i luftuar influencat e tilla.
Shkolla Pranverore Feministe- 2018 mblodhi gra nga Kosova dhe Serbia për të mësuar rreth feminizmit. Pjesa e parë e kësaj ngjarje u zhvillua në Prishtinë nga 22-25 Mars dhe pjesa e dytë pritet të zhvillohet në Serbi. Kjo shkollë organizohet nga Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, organizatë nga Kosova dhe nga “Qendra Alternative për Vajza nga Serbia. Kjo është hera e tretë që organizohet kjo shkollë nga këto dy organizata.
Shkolla Pranverore Feministe nuk është organizim tradicional – nuk mund t’i themi konferencë e as nuk mund t’i themi program akademik teorik. Ky organizim është i dizajnuar në atë mënyrë që pjesëmarrëset të mund të angazhohen në procese praktike të mësimit dhe të eksplorojnë më shumë rreth vetes, talenteve të tyre dhe se si mund të duken të ardhmet e tyre feministe – gjithë kjo duke parë në horizont një bashkëpunim që nuk njeh etni e barriera socio-politik.
Në këtë shkollë, pjesëmarrëset njoftohen me feministe në sfera të ndryshme: që punojnë në organizata jo-qeveritare, që janë në pozita akademike, që kanë thyer barrierat e gjeneratave të kaluara dhe thjeshtë – që kanë përkthyer teorinë në veprim. Me këto lidhje dhe këtë frymëzim, pjesëmarrëset e përfundojnë shkollën duke u larguar me një ndjenjë të re të drejtimit dhe besimit për të bërë lëvizje drejtë suksesit dhe solidaritetit.
Pjesë e këtij drejtimi të ri është edhe iniciativa e përbashkët që pritet të përfundojë brenda vitit. Kjo iniciativë ka për qëllim të kombinojë përvoja nga të dy grupet për të inicuar bashkëpunim dhe interaktivitet në mes të dy shteteve. Iniciativa është e pavarur nga organizatoret e shkollës dhe shpërfaq mësimin dhe përvojën e përbashkët të kësaj gjenerate të Shkollës Pranverore Feministe.
Për më tepër, gjatë këtij edicioni është mbajtur edhe një punëtori për të shpjeguar rolin e grave në njësitë e sigurisë. Në kuadër të kësaj punëtorie, janë demonstruar edhe disa teknika të vetëmbrojtjes në mënyrë që gratë e reja të fitojnë aftësitë dhe besimin e nevojshëm për të mbrojtur veten në rast të dhunës.
Gjatë shkollës ka patur edhe ligjerata të ndërlidhura me dhunën që u bëhet grave në kohëra konflikti. Gjithashtu është bërë përpjekje për të mësuar se çfarë historie ka pasur feminizmi në Ballkan dhe është flitur rreth drejtëisë tranzicionale e politikave gjinore. Po ashtu një pjesë e trajnimit i është dedikuar edhe lëvizjës së grave nga perspektiva e Kvinna till Kvinna, që ka mbështetur këtë iniciativë për katër vite me rradhë.
Një nga pjesëmarrëset nga Kosova, Lejla Leci, ka deklaruar rreth shkollës, “gratë janë të fuqishme pa masë dhe ne u përpoqëm të theksonim këtë duke ndarë histori, duke mësuar koncepte të reja, duke ndihmuar njëra-tjetrin, duke përqafuar vetveten dhe duke menduar për ide të reja për tu ngritur për të drejtat tona dhe për të mbrojtur atë që është e jona.”
Kurse nga Serbia, Izabela Đorđević, një nga pjesëmarrëset tha se “…empatia, mirëkuptimi dhe dëshira për një botë të bukur, të barabartë dhe paqësore ishin ideale të përbashkëta për ne, prandaj tani u them të gjithëve se udhëtimi im në Prishtinë është një nga përvojat më të rëndësishme dhe më të bukura të jetës sime.”
Ne qëndrojmë mbi supet e grave të forta të gjeneratave të kaluara – dhe po, është e vërtetë se kemi më shumë liri – por lufta e vazhdueshme për barazi ende nuk ka mbaruar. Me iniciativa të tilla forcohet solidariteti dhe zbehen dallimet që gratë kanë me njëra tjetren – duke forcuar motërzimin përtej kufijve.