Aktivitetet Forum Teatri

“Historitë tona, skena jonë” – kur teatri bëhet zëri i komunitetit

14 Korrik, 2026

13.07.2026

Më 13 korrik 2026, në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren, OJQ Equality dhe Artpolis shfaqën premierën e Forum Teatrit “Historitë tona, skena jonë”, të realizuar në kuadër të projektit BIG – Barabar Grassroots Initiative dhe projektit “Historitë tona, skena jonë: Forum Teatri si mjet për dialog dhe ndryshim tek të rinjtë”, të zbatuar nga Integra dhe OJQ CASA me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Shfaqja hapi një hapësirë të ndjeshme për të reflektuar mbi diskriminimin etnik dhe gjinor, paragjykimet dhe normat shoqërore që vazhdojnë të ndikojnë në jetën e të rinjve. Përmes rrëfimeve mbi biznesin, punësimin dhe jetën familjare, në skenë u sollën histori që i përkasin realitetit të shumë komuniteteve.

Një nga momentet më prekëse ishte rrëfimi i Majlës, një vajze të re që endet nga një intervistë pune në tjetrën, duke dëgjuar vazhdimisht të njëjtën përgjigje: mungon përvoja. Por si mund të fitohet përvoja kur askush nuk ta jep mundësinë e parë? Përballë dyerve që mbyllen, ëndrra për të ndërtuar jetën në vendlindje zbehet dhe emigrimi fillon të duket si e vetmja rrugë. Historia e saj u bë zëri i shumë të rinjve që kërkojnë jo privilegje, por një mundësi të drejtë.

Si Forum Teatër, “Historitë tona, skena jonë” nuk ofroi përgjigje të gatshme. Ajo ftoi publikun të hyjë në dialog, të sfidojë realitetin dhe të imagjinojë një shoqëri ku barazia nuk mbetet vetëm një ideal, por bëhet praktikë e përditshme.

Luajtën: Amina Shabani, Meldina Mislimi, Anes Huskiq, Melisa Elezi, Rahin Karçe, Alan Mustafi, Omar Bećiri dhe Daris Hoxha.
Mentor: Xhevdet Doda
Ndriçimi dhe zërimi: Flamur Krasniqi

You may also like