“E Bija”, me mesazhe kundër ngacmimeve dhe fuqizim të vajzave
7 Qershor, 2024
Aktivitetet Aktivizëm Punëtoritë
3 Korrik, 2020
26 – 29. 06.2020
Qeniet njerëzore kanë vazhduar të krijojnë edhe në rrethanat më të çuditshme dhe të papërshtatshme, sepse procesi krijues është pjesë e gjenezës sonë dhe funksionimit bazik, prandaj edhe Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis ka organizuar kampin feminist me artiste dhe aktiviste kosovare nga etnitë dhe grupet e ndryshme për 4 ditë në fshatin Kukaj nga data 26- 29 Qershor, 2020. Edhe pse për herë të dytë, ky kamp bëri bashkë 25 gra “Art-iviste” për të krijuar vepra arti që shtjellojnë përvojat, rezistencën, sfidat, konfliktet, dhunën, qëndrueshmërinë dhe dashninë në kohë pandemie të shkaktuar nga virusi korona në mbarë botën.
Për katër ditë u treguan shumë histori, përjetime e emocione; u afruan me njëra tjetrën dhe zbuluam se ngjashmëritë nuk mungonin. Ato hasnin në to dhe lidheshin mes vete, dhe kjo u jepte fuqi por edhe frymëzim për të gjetur të tjera. Gjatë 4 ditëve janë mbajtur sesione pune grupore, ku ushtrime të lëvizjeve skenike, shkrimit kreativ dhe meditimit e çlirimit shpirtëror kanë ndihmuar artistet dhe aktivistet të shprehin më së miri përvojat e tyre dhe vizionin e tyre për shoqërinë. Përveç këtyre sesioneve u diskutuan, konstruktuan e dekonstruktuan edhe shumë koncepte e ide që i kanë ndihmuar grupit për t’i dhënë jetë skenës me performancat e tyre artistike.
Artistet dhe aktivistet e ndara në 4 grupe krijuan një lidhje shumë inspiruese e kreative mes vete dhe u bashkuan me ide e qëllime të përbashkëta që ndihmuan njëra tjetrën për realizmin e 4 performancave artistike që adresojnë e përkrahin qëllimet dhe çështjet sociale. Por, gjatë atyre ditëve çdo aktivitet e sesion ishte në funksion të krijimit dhe zhvillimit të shfaqjeve të tyre përtej kampit prandaj këto shfaqje do të përpunohen dhe zgjerohen për tu prezantuar gjatë Edicionit të tetë të festivalit Femart me 15-20 Tetor, 2020.
Kampi i Artisteve dhe Aktivisteve është lehtësuar nga Zana Hoxha – Regjisore, Robert Nuha – Koreograf dhe Shpëtim Selmani – Aktor dhe Poet.
Ky aktivitet është mbështetur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.