“O Zot, O Zot, e Zoja e Shpisë” në Tuz…
27 Nëntor, 2024
11.07.2019
Me datën 11 korrik, 2019, në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë u lansua zyrtarisht Koalicioni i Kosovës për Pajtim – KKP i përbërë nga katër organizata “Fondi për të Drejtën Humanitare”/Prishtinë, “Artpolis”/Prishtinë, “Aktiv”/Mitrovica e Veriut dhe “Documenta”/Zagreb. Ky koalicion është krijuar në kuadër të projektit “Transformimi i perceptimeve të konfliktit përmes rritjes së angazhimit qytetar dhe të komunitetit në Kosovë” i mbështetur nga Bashkimi Evropian.
Qytetarët e Kosovës edhe 20 vite pas luftës ende kanë shumë brenga e shqetësime, pyetje që asnjëherë nuk marrin përgjigje, pasiguri, mungesë të mirëqenies së mirëfilltë e kjo vlen për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Koalicioni ka për qëllim angazhimin e komunitetit duke u fokusuar në të kaluarën, tashmen dhe të ardhmen, si dhe arrijten e pajtimit dhe promovimin e diverzitetit kulturorë në Kosovë.
“Pajtimi ndërmjet etnive të ndryshme në Kosovë duhet të ndodhë përmes ndërtimit të një të ardhmeje të përbashkët brenda Kosovës” ndër të tjera u tha nga organizat themeluese të këtij kolaicioni. Në hapje të konferencës, zyrtari nga BE Stergios Tragoudas tha që procesi i pajtimit është mjaft sfidues, por që duhet ndjekur shembujt e shteteve anëtare të BE-së dhe mënyrën se si i kanë tejkaluar problemet. Për më tepër, ai e potencoi rëndësinë e pajtimit për BE-në, duke thënë se shtetet tjera anëtare i kanë trajtuar mosmarrëveshjet në bashkëpunim me qytetarët dhe institucionet e ndryshme.
Në konferencën për lansimin e Koalicionit të Kosovës për Pajtim, përveç zyrtarit nga BE, Stergios Tragoudas, para mediave dhe pjesëmarrësve tjerë në konference, folën edhe: Bekim Blakaj – drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare, Zana Hoxha – themeluese dhe drejtoreshë e OJQ – Artpolis dhe Miodrag Milićević – drejtor ekzekutiv i OJQ – Aktiv, panel i moderuar nga Kaltrina Shala – Menaxhere e projektit.
“Duhet ta dokumentojmë të kaluarën dhe faktin se një numër kaq i madh i njerëzve u zhdukën gjatë luftës, sepse njerëzit duhet t’i njohin këto gjëra”, tha Blakaj.
Miodrag Miliçeviq, drejtor i organizatës joqeveritare “Aktiv’’ nga Mitrovica e Veriut, tha se për të gjitha bashkësitë etnike në Kosovës është i rëndësishëm avancimi i kualitetit të jetesës, të drejtat e barabarta dhe respektimi i të gjitha bashkësive.
Ndërkaq Zana Hoxha, drejtoreshë në “Artpolis” theksoi se organizatat në fjalë edhe më herët kanë vepruar së bashku andaj ky bashkëpunim ka rrjedhë natyrshëm. “Ky bashkëpunim nuk është vetëm projekt, por është një mision, është një punë të cilën do ta bëjmë në kuadër të strategjive tona, zhvillimit tonë për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, për një Kosovë më të mirë dhe jo të ndarë nëpërmes komuniteteve etnike, por ajo që krijon kushte për gëzimin e të drejtave të të gjithëve përfshirë komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, tha Hoxha.
Lansimi i koalicionit u përcjell me një panel diskutimi “Pajtimi në Kosovë: E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja – Diskutim rreth procesit të pajtimit në Kosovë si dhe sifdat dhe mundësitë nga perspektiva e mediave dhe artit. Panelistë kanë qenë përfaqësues të mediave, artit dhe akademisë: Adriatik Kelmendi – gazetar, Besa Luci – gazetare, Edis Galushi – gazetar, Darko Dimitrijević – gazetar, Alban Muja – artist. Të gjithë dhanë pikëpamjet e tyre dhe shembuj nga puna gazetareske dhe artistike, duke vënë në pah dallimet dhe ngjashmëritë e trajtimeve të problemeve nga mediat e ndryshme në Kosovë e Serbi.