Nga rrënojat e luftës tek qëndrueshmëria, “Gratë e Trojës” me…
6 Nëntor, 2024
20.04.2020
Shkruan: Alberina Haxhijaj
Prishtinë, 19 Prill – Edicioni i 8të i “FemArt”, që është festivali i parë dhe i vetëm feminist në Kosovë, gjatë muajit tetor do të mundohet që të deshifrojë moton që ka sivjet: “Çka nëse gratë do të kishin më shumë fuqi?!”.
Festivali ishte paraparë që të mbahej prej 15 deri më 20 maj, mirëpo për shkak të pandemisë Covid-19, Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, ka publikuar datat e reja. Për gjashtë ditë nga 15 deri më 20 tetor, artistë dhe aktivistë nga vendi dhe nga mbarë bota, me veprat e tyre artistike do të mundohen që të japin një këndvështrim të ri për mënyrën se si e shohin ata se çfarë do të ndodhte sikur gratë të kishin më shumë fuqi.
Sipas organizatorëve, fuqizimi i kategorive të margjinalizuara përmes aktiviteteve kulturore, diskutimeve dhe bashkëveprimit të drejtpërdrejtë me artistet dhe aktivistet, është forma më e mirë e përcjelljes së mesazheve, por edhe e gjetjes së përgjigjeve adekuate.
Drejtoresha e Festivalit, Zana Hoxha, ka thënë se edicioni i sivjetmë është ndikuar nga pandemia, duke u nisur nga fakti që një pjesë e madhe e artisteve dhe aktivisteve që janë pjesëmarrëse, vijnë nga Evropa dhe kontinentet e tjera të botës, por edhe sepse kanë vizitorë, adhurues dhe ndjekës që vijnë enkas nga vendet e rajonit për të përcjellë programin e larmishëm.
Ka thënë se këtu hyn edhe numri i madh i vizitorëve vendës, që i përcjellin aktivitetet përgjatë Festivalit. Gjithë kjo, sipas saj, ka bërë që Festivali të shtyhet për një periudhë disamujore, deri sa të qetësohet situata e të kthehet në normalitet.
“Motoja e sivjetme e festivalit është inspiruar nga një prej artisteve feministe më me ndikim në botë, Judy Chicago. Duke qenë se shumë shpesh përballemi me pyetjen se çfarë kërkojnë gratë më shumë sesa të drejtat që i gëzojmë, së paku në letër, ne kemi dashur që ta kthejmë pyetjen drejt publikut përmes performancave provokuese që do t’i prezantojmë në Festivalin tonë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, jo vetëm në shoqërinë shqiptare patriarkale, por edhe globalisht, krijimtaria e grave është zhvleftësuar dhe reduktuar shumë shpesh dhe potenciali i grave artiste nuk është shfrytëzuar dhe zhvilluar duke marrë parasysh mungesën e mundësive dhe investimit. E rol të rëndësishëm këtë vit, Hoxha ka thënë se do kenë artistet dhe aktivistet nga Kosova. Sipas saj, ato do të jenë në fokus të Festi- valit, në mënyrë që të zbutet ndikimi shkatërrues ekonomik që ka pasur COVID-19,siç ka thënë ajo, në zhvillimin e skenës kulturore kosovare.
Drejtosresha e Festivalit regjisorja Zana Hoxha, po ashtu ka theksuar se përmes aktiviteteve artistike që do të realizojnë sivjet, po shpresojnë që të japin përgjigje në pyetjen: “Çka nëse gratë do të kishin më shume fuqi”?.
“Arti ka fuqinë të kalojë kufijtë edhe atëherë kur janë të pakapërcyeshme dhe të bashkojë njerëz e popuj të komuniteteve dhe racave të ndryshme e të krijojë një hapësirë, ku të gjithë të jenë te barabartë dhe të eksplorojnë dhe zbulojnë vetveten”, ka thënë ajo, duke shtuar se çdoherë “FemArt” ka arritur të trajtojë tema të ndryshme që ndërlidhen me gratë dhe të drejtat e njeriut përmes artiti të krijuar nga gratë.
FemArt – Festivali Ndërkombëtar për Artiste dhe Aktiviste është një platformë për inicimin dhe prezantimin e ideve dhe krijimeve që sjellin përpara konceptet feministe dhe zhvillimet e tyre në Kosovë, duke u angazhuar për të drejtat e barabarta të grave si dhe urë lidhëse për ndërtimin e paqes në rajon.