Nga rrënojat e luftës tek qëndrueshmëria, “Gratë e Trojës” me…
6 Nëntor, 2024
“Audienca ishte shumë e mirë, besoj që e realizuam një koncert të mrekullueshëm sepse patëm shumë energji të mirë, dhe jam shumë e lumtur sepse audienca hyri në muzikë shumë shpejt, e kjo për ne është shumë e rëndësishme” tha fillimisht për KultPlus, këngëtarja Christine Salem
Jeta Zymberi
Nëse duhej vënë pika diku FEMART-it, atëherë do t’i vihej në mbrëmjen e së dielës. Në programin e këtij edicioni të katërt të FEMART u shpalos mbrëmja më e veçantë me muzikën më të rrallë që publikut kosovar i rastisë të dëgjojë, një mbrëmje që ata do ta mbajnë gjatë në mëndje. Këngëtarja e njohur botërisht Christine Salem erdhi në Kosovë për herë të parë përmes turit të saj evropian dhe solli një energji e cila nga shumë të pranishëm u quajt magjike. Këngëtarja e famshme e zhanrit Maloya, Christine Salem, e cila solli muzikë tradicionale nga Ishujt Runion, erdhi me grupin e saj nga Ishulli Reunion në Oqeanin Indian për të interpretuar në Prishtinë e shoqëruar nga Harry Perigone, David Abrousse dhe Sebastien Martel, këta ishin çunat që dinin të krijonin një atmosferë të rrallë. I gjithë publiku gjatë tërë kohës ishte në këmbë duke vallëzuar nën ritmet e kësaj muzike ndoshta të pa dëgjuar më herët nga ta, por, e pranuar qysh në ritmin e parë. Një koncert live, tejet i veçantë, me një muzikë tejet ritmike që zgjoi shpirtrat e secilit të pranishëm.
Kjo lloj muzike që deri në vitet 1981 ishte e ndaluar, shpesh sfidon autoritetet, që do të thotë se performancat e Salem janë kryesisht kontroverse dhe gjithmonë hapin shumë diskutim. Muzika e Salem ishte e jashtëzakonshme, shumë ritëm, një zë i fuqishëm dhe bindës për atë që përcjellë dhe mbi të gjitha diçka që buron nga thellësia dhe ndjeshmëria e saj, një anë e zemëruar, ku duke brohoritur me zërin e saj të fuqishëm kërkon liri dhe dëshiron të përcjellë gëzim. Christine Salem me tingujt e muzikës së saj “World Music” vulosi edhe njëherë se publiku kosovar di të shijojë muzikën dhe ta pranojë si është më së miri.
“Audienca ishte shumë e mirë, besoj që e realizuam një koncert të mrekullueshëm, sepse patëm shumë energji të mirë dhe jam shumë e lumtur sepse audienca hyri në muzikë shumë shpejt, e kjo për ne është shumë e rëndësishme” tha fillimisht për KultPlus, këngëtarja Christine Salem.
Kjo muzikë daton shumë vite më herët, për herë të parë në Francë e solli qeveria franceze që nga viti 1981 dhe nga ajo kohë, ka marrë një hovë të zhvillimit kjo muzikë. “Fillimisht ishte një lloj sfide që ta shfaqim atë kulturën e popullit të Malojas dhe tani muzika e Maloja luhet në shumë shtete të botës, dhe tani merret më shumë në konsideratë, sepse fillimisht njerëzit nuk kanë dashur të flasin për popullin që jeton në Maloja, nuk kanë dashur të dëgjojnë muzikën e tyre, por tani të gjithë flasin për kulturën e Maloja, e unë jam shumë krenare për këtë” tregoi tutje Salem.
Këngëtarja Salam ka kohë që ka marrë epitetin si ambasadore e kësaj muzike, dhe e kulturës së Malojas dhe kjo padyshim që është nder për këngëtaren.“Emrin që ma kanë lënë gazetarët është Ambasadore e Malojas” e tha Christine duke qeshur, ajo tregoi tutje se është nder i madh që po prezanton muzikën e saj tek njerëzit e rinj të cilët nuk e kanë ditur këtë muzikë më herët.
Ndërsa njëra nga organizatoret e festivalit, Oda Haliti u shpreh që kjo natë ishte njëra nga netët më të bukura që ka përjetuar ndonjëherë. “Kjo ka qenë njëra nga netët magjike të FEMART. Isha tejet e lumtur kur i shihja njerëzit aq të lumtur dhe të gjithë duke vallëzuar. Ka qenë një natë aq e veçantë sa që nuk e di nëse ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë. Nuk po mund të besoj që FEMART po rritet në këtë formë, kaq shpejt, është edicioni i katërt dhe me arrit me sjellë një këngëtare të tillë është arritje shumë e madhe” tha për KultPlus, Oda Haliti.
Sot po vijon dita e gjashtë dhe e fundit e festivalit të artisteve për të drejtat e njeriut, FEMART, që ka sjellë në kryeqytet plotë aktivitete, debate e performanca të ndryshme./KultPlus.com