
“Vojçeku”, mes botës që shtyp e shfrytëzon
13 Mars, 2025
20-30.03.2025
Programi “Akullthyesit: Kultura Pa Kufij” mblodhi së bashku artiste/ë, aktiviste/ë dhe intelektuale/ë nga Beogradi dhe Prishtina për të nxitur dialogun dhe shkëmbimin ndër-kulturor. Tetëmbëdhjetë pjesëmarrës/e nga Kosova dhe Serbia patën rastin të takohen dhe diskutojnë mbi të kaluarën, ndërtimin e paqes dhe pajtimin nga 20 deri më 30 mars, 2025.
Në Beograd, përveç punëtorisë me Aleksandar Pavlović, pjesëmarrësit vizituan Qendrën për Dekontaminim Kulturor (CZKD), një qendër e mendimit kritik dhe rezistencës, ku eksploruan kulturën si mjet për ndryshim dhe Muzeun e Artit Bashkëkohor.
Programi përfshiu gjithashtu një vizitë në Kalanë e Petrovaradinit në Novi Sad, ku pjesëmarrësit ndoqën ekspozitën “Mileva: Ne Jemi Shkëmb”, e cila rishikon trashëgiminë e Mileva Marić Einstein dhe simbolikën e emrit Einstein. Ne Novi Sad, Aleksandra Bosnić Đurić përmes temës “Refuzimi dhe kultura e rezistencës në një shoqëri të mbyllur” trajtoi situatën politike dhe protestat e studentëve në Serbi duke mos harruar edhe kujtesën kolektive për të kaluarën e luftës në Kosovë.
Në “Shtëpinë e të Drejtave të Njeriut” Sonja Biserko nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, e mirëpriti mysafirët, duke eksploruar marrëdhëniet në zhvillim mes Prishtinës dhe Beogradit dhe rolin e shoqërisë civile në forcimin e mirëkuptimit. Vizita studimore në Serbi përfundoi me një diskutim me shkrimtarin Saša Ilić, i cili reflektoi mbi vizitën e tij të parë në Prishtinë, rëndësinë e shkëmbimit kulturor dhe rolin e letërsisë në formësimin e perceptimeve.
Në Prishtinë, pjesëmarrësit u njohën me Artpolis, një organizatë që përdor artin dhe aktivizmin për të promovuar ndryshime shoqërore dhe barazi gjinore. Zana Hoxha ndau njohuri mbi punën e tyre, duke theksuar rolin e teatrit në fuqizim.
Ata vizituan gjithashtu Termokiss, një qendër kulturore e pavarur që nxit dialogun dhe ndryshimin e drejtuar nga komuniteti. Një punëtori me Igo Rugovën ofroi perspektiva mbi aktivizmin dhe ndërtimin e paqes, duke theksuar sfidat e pajtimit dhe rolin e grave në nxitjen e dialogut. Më pas, pjesëmarrësit vizituan Qendrën e Dokumentimit, ekspozitën “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, që nderon 1133 fëmijë të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ndërkaq, ligjerata e Blerta Bashollit, dramaturge dhe regjisore me nam e filmit, motivoi të rinjt/rejat që pavarësisht sfidave dhe vështirësive, këmbëngulësia për të ndjekur ëndrrën shpërblehet me sukses.
Në Prizren, në qytetin me diversitet kulturor, pjesëmarrësit vizituan Lidhjen e Prizrenit, një vend historik me rëndësi të madhe për identitetin kombëtar shqiptar. Bashkim Fazliu mbajti një ligjëratë mbi kombet, identitetet dhe mitet historike, duke nxitur diskutime mbi mënyrën se si narrativat historike formësojnë marrëdhëniet në Ballkan dhe mënyrat për të nxitur dialogun në vend të ndasive. Dokufesti, Lumbardhi dhe Kalaja e Prizrenit ishin pikat ku të rinjt/rejat kaluan kohë për të kuptuar rreth aktiviteteve dhe trashëgmisë kulturore të Prizrenit.
Dita e dhjetë e këtij shkëmbimi kulturor u kurorëzua me vizitën në Pejë, në kinemanë “Jusuf Gërvalla” për të dëgjuar dhe përcjellur disa animacione të shkurta nga ‘Anibar’ dhe më pas vizita në Manastirin e Deçanit dhe Patriarkanën e Pejës.
I gjithë ky rrugëtim, u përcjell dhe u kurua me kujdes nga mentorja e programit Tamara Tomasheviq, e cila i trajtoi të gjitha temat dhe diskutimet përmes artit duke inicuar ide kreative nga pjesëmarrësit/et e programit.
Programi “Kultura pa Kufij” udhëhiqet nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HO), dhe që nga viti 2023 zbatohet në bashkëpunim me Artpolis, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.