“E Bija”, me mesazhe kundër ngacmimeve dhe fuqizim të vajzave
7 Qershor, 2024
07.10.2023
Më 7 tetor, 2023 Artpolis ka mbajtur Kuvendin e Anëtarësisë në Prishtinë.
Kuvendi ishte një mundësi e jashtëzakonshme për t’u lidhur me anëtarët e tjerë të komunitetit, artiste/ë dhe aktiviste/ë, dhe për të mësuar mbi angazhimin e aktivizmit artistik të Artpolis. Poashtu, ky takim i anëtarësisë shërbeu për të shkëmbyer përvoja e ide si të ecim përpara dhe të rrisim aktivizmin feminist përmes artit.
Themeluesja dhe Drejtorja ekzekutive e Artpolis, Zana Hoxha, e cila nuk ishte prezent fizikisht në këtë ngjarje, iu drejtua pjesëmarrësve me një letër falënderimi duke theksuar rëndësinë e angazhimit të përbashkët drejt barazisë sociale.
“Feminizmi është udhërrëfyesi i punës së Artpolis, besimi në barazinë gjinore drejton misionin tonë. E arti është instrumenti ynë për ndryshim, duke sfiduar normat dhe duke avokuar për një botë ku çdo individ, pavarësisht nga gjinia, është i barabartë dhe ka mundësi të barabarta. Ndërsa jemi këtu, le të meditojmë për udhëtimin që na ka bashkuar. Me kalimin e viteve, Artpolis është rritur në një forcë dinamike, falë përpjekjeve kolektive të anëtarëve tanë. Entuziazmi, kreativiteti dhe mbështetja juaj e palëkundur kanë qenë forca shtytëse e sukseseve tona. Sot, festojmë arritjet e Artpolis dhe jemi të vetëdijshëm që ka sfida përpara, por gjithashtu e dimë se forca dhe vendosmëria jonë kolektive mund të kapërcejnë çdo pengesë”, ka thënë Hoxha.
Për rëndësinë e anëtarësisë dhe përkrahjes së organizatës Artpolis me një fjalë rasti u janë drejtuar edhe Edona Krasniqi, Drejtore për grantdhënie nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Igballe Rogova – Igo, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Valdete Idrizi, Drejtore e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Mitrovicës, Aurita Agushi, Aktore dhe Anëtare e Bordit të Artpolis
Edona Krasniqi theksoi rëndësinë që ka përkrahje e granteve institucionale në rritjen e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile, zhvillimin dhe zgjerimin e anëtarësisë, drejtim në të cilin Artpolis ka shënuar rritje të jashtëzakonshme.
Kryetarja e RRGK-së, Igo Rogova theksoi fuqinë artistike të angazhimit feminist të Artpolis, me theks të veçantë shfaqjeve profesionale, shfaqjeve forum teatër e Festivalit FemArt.
Kurse Valdete Idrizi theksoi punën e palodhshme të Artpolis dhe insistimin e jashtëzakonshëm për të sjellë ndryshime pozitive, aq të domosdoshme në shoqërinë tonë. Sipas saj, energjia, bashkëpunimi, dhe qëndrueshmëria e Artpolis ndër vite janë frymëzuese.
Aktorja dhe anëtarja e bordit të Artpolis, Aurita Agushi, theksoi se angazhimi i saj në organizatë e ka rritur shpirtërisht dhe profesionalisht. Ajo ka theksuar veçanërisht ndikimin e Artpolis në të për të kuptuar edhe më saktë aktivizmin feminist dhe artin e angazhuar.
Përveç fjalimeve, një pikë relaksuese për pjesëmarrësit në Kuvend e udhëhoqi aktorja e Ansamblit të Artpolis, Qendresa Kajtazi, duke rritur energjinë e të gjithëve.
Pas përfundimit të fjalimeve ishte koha e prezantimit të angazhimit të Artpolis dhe Festivalit FemArt ndër vite. Për këtë pjesë u përkujdesën dy anëtarët e stafit të Artpolis, Berat Bajrami dhe Butrint Pasha.
Në këtë Kuvend u prezantuan edhe politikat e reja të Anëtarësisë nga menaxherja e projekteve në Artpolis, Nertila Qarri – Gërguri, e cila udhëhoqi gjithë procesin e Kuvendit.
Kuvendi i parë i Anëtarësisë së Artpolis u përmbyll me ndarjen e kartelave.
Ky aktivitet u realizua nga Artpolis me përkrahje nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
#artpolis #kcsf #kuvendiianëtarëve