“Prapa Ekranit” në Skenderaj, me mesazhe kundër dhunës ndaj grave
16 Prill, 2026
Aktivizëm Panelet e Diskutimit
15 Prill, 2026

14.04.2026
Më 14 prill, në Instituti Francez në Kosovë, në bashkëpunim me Artpolis, u shënua një mbrëmje e veçantë kushtuar mendimit dhe trashëgimisë së një prej figurave më të fuqishme të shekullit XX, Simone de Beauvoir.
Ky aktivitet solli një lexim performativ intim dhe të fuqishëm, ku fjalët e Beauvoir morën jetë përmes zërave të aktores Rebeka Qena dhe shkrimtares Nerimane Kamberi, të interpretuara në shqip dhe frëngjisht. Përmes kësaj ndërthurjeje gjuhësh, u reflektua universaliteti i ideve të saj mbi lirinë, identitetin dhe rolin e gruas në shoqëri.
Mbrëmja u pasurua nga ligjërata e sociologes feministe Sibel Halimi, “Pse Simone de Beauvoir sot?”, e cila e vendosi mendimin e saj në kontekstin e sfidave bashkëkohore. Ndërsa diskutimi i moderuar nga Naile Dema Selmani, “E përditshmja është politike—ende”, hapi një dialog të sinqertë dhe reflektues me publikun.
Fjala përshëndetëse e Ambasadorit të Francës në Kosovë, Olivier Guérot, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit kulturor dhe fuqinë e artit dhe mendimit kritik. Fjalimi i tij mbi veprimtarinë e Simone de Beauvoir ishte në gjuhën frënge, qëllimisht—siç e theksoi edhe vetë—për t’i bërë homazh në 40-vjetorin e vdekjes së saj.
Gjatë mbrëmjes, u riafirmua një nga idetë më të fuqishme të Beauvoir: “Nuk lind grua, bëhesh.”
Një thirrje që vazhdon të na sfidojë edhe sot—në një kohë kur liria shpesh negocion me norma të padukshme dhe pritje shoqërore.
Me një formë minimale, por me një forcë të thellë shprehjeje, kjo mbrëmje krijoi një hapësirë ku letërsia, performanca dhe mendimi kritik u ndërthurën për të rikujtuar se reflektimi dhe dialogu mbeten thelbësore në rrugën drejt lirisë.
Si përfundim, kjo ngjarje, e përcjellë me kaq interesim dhe entuziazëm nga publiku, synohet të vendoset në kalendarin e përvitshëm të ngjarjeve kulturore, si nga Ambasada e Francës në Kosovë, ashtu edhe nga Artpolis.





























