Aktivitetet Projektet

Me këngë, humor, poezi e ekspozitë u mbyll dita e dytë e “Art në Tren”

22 Qershor, 2026

20.06.2026

“Art në Tren” vazhdoi me sukses edhe në prezantimin e dytë, duke e shndërruar edhe një herë udhëtimin me tren nga Prishtina në Pejë në një hapësirë të gjallë arti, takimi dhe frymëzimi.

Më 20 qershor 2026, dhjetëra pjesëmarrës përjetuan një program artistik të larmishëm përgjatë rrugëtimit, ku muzika, poezia, humori dhe arti pamor u ndërthurën në një atmosferë të veçantë. Tingujt e kitarës së Ada Stefës shoqëruan udhëtimin me emocione dhe energji pozitive, ndërsa Festim Bajçinca solli momente humori që mbushën vagonët me të qeshura dhe duartrokitje.

Poezitë e interpretuara nga Albana Gashi krijuan hapësira reflektimi dhe ndjeshmërie, ndërsa ekspozita e Drilona Hamitit e ktheu trenin në një galeri lëvizëse, duke i afruar veprat artistike me publikun në një mënyrë krejtësisht të re.

“Art në Tren” dëshmoi sërish se arti mund të jetojë përtej skenave, galerive dhe hapësirave tradicionale, duke krijuar përvoja të drejtpërdrejta që lidhin njerëzit me kulturën, njëri-tjetrin dhe vendet që kalojnë përgjatë rrugës.

Ky aktivitet organizohet në kuadër të projektit “Heritage Horizons: A Journey Across Generations” të Artpolis, në kuadër të programit BOOST Balkans, financuar nga Agence Française de Développement dhe i koordinuar nga ALDA Balkans.

You may also like