“E Bija”, me mesazhe kundër ngacmimeve dhe fuqizim të vajzave
7 Qershor, 2024
23 Prill, 2019
04.04.2019 / 11.04.2019
Në vazhdimësi të punëtorive, u zhvilluan edhe dy aktivitetet e fundit në kuadër të këtij cikli, në datat 04.04.2019 dhe 11.04.2019. Pjesëmarrëset e punëtorisë “Mendimi kreativ për Fuqizimin e viktimave të trafikimit dhe të viktimave potenciale të trafikimit”, vazhduan punën e tyre nën mentorimin e artistes Njomza Luci.
Ky aktivitet për gratë pjesëmarrëse të kategorisë viktima të trafikimit dhe viktima potenciale të trafikimit, u ka krijuar një hapësirë të sigurt dhe të ngrohtë në Artpolis, që ato të punojnë dhe të mësojnë gjëra të reja e të nevojshme për jetë e tyre, të shoqërohen në mes vete dhe të kalojnë një ditë të bukur.
Qëllimi i këtij aktiviteti është që gratë e kategorisë së lartpërmendur të krijojnë diçka nga asgjëja dhe ti bëjnë ato ekonomikisht të pavarura, ashtu që pas përfundimit të këtij kursi të kenë mundësi të punojnë vetë përmes mendimit kreativ.
Çanta të bukura dhe funksionale për përdorim të përditshëm por edhe për raste më të veçanta, e poashtu edhe çanta për laptop, u finalizuan duke iu dhënë edhe ‘prekjen’ e fundit, dekorimin. Produktet finale ishin shumë kreative, të bukura dhe unike.
Në fund të punëtorive, pjesëmarrëset u certifikuan. Ato nga ky aktivitet përfituan shumëçka, si: njohuri, shoqëri, relaksim. Në fund në mes vete i shkëmbyen kontaktet me shpresë që shoqërimi i tyre do të vazhdojë edhe më tej.
Por, me kaq nuk do të përfundojë ky aktivitet. Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, do të hapë një ekspozitë me këto produkte të finalizuara dhe me 14 qershor, 2019, në kuadër të festivalit Femart 2019, çantat do të shiten, e fondet e grumbulluara nga ky aktivitet do t’iu dedikohen të njëjta grave pjesëmarrëse të aktivitetit.
Punëtoritë: “Mendimi kreativ për Fuqizimin e viktimave të trafikimit dhe të viktimave potenciale të trafikimit” realizohet në kuadër të projektit “Ndërtimi i qëndrueshmërisë dhe përfshirjes sociale të viktimave të trafikimit dhe viktimave të supozuara të trafikimit” dhe përmban tetë punëtori që janë implementuar dhe realizuar në hapësirat e zyrave të Artpolis nën mbikëqyrjen dhe udhëheqjen e artistes së njohur Njomza Luci.
Projekti “Fuqizimi Socio-Ekonomik dhe Psikosocial i Viktimave të Trafikimit dhe Viktimave të Mundshme të Trafikimit” financohet nga projekti i BE “Lëvizja Përpara: Promovimi i Efikasitetit dhe Efektivitetit me te Madh ne Luftë Kundër Trafikimit te Qenieve Njerëzore”.