Fondi Fondi për Art Feminist

Murali që synon vetëdijesimin kundër dhunës dhe vrasjes së grave

30 Nëntor, 2023

29.11.2023

Shkolla fillore “Idriz Barani” në Klinë të Epërme të Skenderajt është shndërruar në një hapësirë të avokimit dhe ngritjes së vetëdijes shoqërore kundër vrasjes dhe dhunës ndaj grave. 

“Unë nuk jam pronë e askujt. Vetëm edhe një shuplakë është dhunë” është titulli i muralit që është prezantuar në këtë shkollë më 29 nëntor, 2023.

Realizuar nga OJQ Humanus Vita dhe artisti Nazmi Kyqyku, ky mural është prezantuar në kuadër të “16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, me mbështetje të Fondit për Art Feminist të Artpolis.

Doruntina Gashi, drejtore e Humanus Vita, ka thënë se edukimi i të rinjve dhe ngritja e vetëdijes tek ta për fenomenet e dhunës në shoqërinë tonë është i një rëndësie të veçantë. Për të, është ende shqetësuese dhuna dhe vrasja e grave.

“Mesazhi kryesor sigurisht është ndërgjegjësimi i të rinjve dhe i mësimdhënësve, dhe i gjithë shoqërisë në përgjithësi që brez pas brezi do të vijnë në këtë shkollë dhe shpresojmë se ky mural të shërbejë për çdo brez që vjen. Fatkeqësisht ende statistikat janë të larta, por në një masë të vogël ka filluar pak më shumë raportimi, por gjithsesi nuk do të thotë që është zvogëluar dhuna, dhe si shoqëri ne kemi shumë nevojë për ndërgjegjësim, për të punuar me projekte të ndryshme me shoqërinë, me nxënësit, gratë dhe me burrat në veçanti”, ka thënë Gashi.

Prezent në prezantimin e këtij murali ka qenë edhe zyrtarja për barazi gjinore në Komunën e Skenderajt, Qefsere Dautaj, e cila ka bërë thirrje që të mos heshtet dhuna.

“Po bëjmë fushata vetëdijësuese kundër dhunës në familje, me ligjërata nëpër shkolla, e takime nëpër fshatra të ndryshme. Jemi të interesuar që të bëjmë vetëdijesimin e qytetarëve që të mos e heshtin dhunën sepse është shumë e rëndësishme, ajo nuk duhet të heshtet sepse të drejtat e asnjë njeriu nuk lejohet të shkelen për asgjë, sepse të gjithë kemi të drejta”, ka thënë ajo.

Ndërsa drejtori i shkollës, Sami Tahiraj shpreson se ky mural do të ketë ndikim pozitiv edhe në komunitetin e gjerë.

Nxënës të shkollës “Idriz Barani” kanë lexuar disa nga thirrjet kryesore të mesazheve që përcjell ky mural: Stop Femicidit, Raporto 192, Mos e ndal çikën/edukoje djalin, #BollMa etj.

Ky mural është përkrahur nga Fondi për Art Feminist i Artpolis, që mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.

#artpolis #art #community #feminist #found

You may also like