“E Bija”, me mesazhe kundër ngacmimeve dhe fuqizim të vajzave
7 Qershor, 2024
03.07. – 06.07.2021
Më 3 korrik 2021 nisi fuqizimi i 20 Klubeve Teatrore të shkollave kampione.
Për katër ditë me radhë 10 profesionistë/e të aktrimit dhe 20 nxënës/e të shkollave kampione u bënë bashkë në Kampin Artistik në Etno Kompleksin në Kukaj, për të realizuar me sukses aktivitete të shumta rreth teatrit.
Për këtë kohë të mbushur me aktivitete nxënësit dhe aktorët/et e Trupës Rezidente të Qendrës Artpolis shkëmbyen përvoja e bashkëvepruan për të arritur një ngritje profesionale, emocionale e humane.
Nxënësit/et patën rastin të mësojnë nga Trupa e Qendrës Artpolis më tepër rreth teatrit, përmes zhvillimit të mendimit kritik, provave, prezantimit të shfaqjeve forum-teatër, aktrimit, këndimit, vallëzimit e shkrimit. Derisa diskutimet, meditimet e ushtrimet fizike i përmbushën emocionalisht e shpirtërisht.
Argëtimi e shoqërimi ka vazhduar edhe në orët e mbrëmjes, me ç’rast nxënësit/et kanë krijuar shokë e shoqe të reja, por edhe kanë zhvilluar lojëra e diskutime të ndryshme në hapësirat e bukura dhe amfiteatrot e Etno Kompleksit në Kukaj.
“Në ditën e sotme kam qenë shumë më e lumtur dhe shumë më e hapur se në ditën e parë. Ky trajnim do të mbetet gjithmonë në mendjen time”, thotë njëri/a nga nxënësit/et në letrën e vlerësimit për trajnimin dhe trajnerët/et.
Po ashtu edhe trajnerët thonë se kanë marrë përvojë të re, e janë kënaqur me punën dhe bashkëpunimin me nxënësit/et.
“Kam marrë shumë gjëra nga nxënësit, sidomos në ushtrimin që e kemi bërë ‘ta kalojmë vijën’, me ç’rast ne bëjmë pyetje dhe fëmijët përgjigjen. Asnjëri nuk është i njëjtë, secili ka personalitet e karakter tjetër dhe kemi mësuar se nuk bën të paragjykojmë e duhet të mundohemi ta kuptojmë se pse ai/ajo po sillet kështu”, ka thënë Kaltrinë Zeneli, aktore/trajnere, e cila shtoi se nxënësit janë shumë të talentuar dhe do t’i ndihmojnë shumë klubet e tyre teatrore kur të kthehen në shkollat përkatëse.
Nga 3-6 korrik për të gjithë pjesëmarrësit Artpolis ka përgatitur ushqime të ndryshme tradicionale, të shërbyera në mëngjes, drekë dhe darkë.
Në fund të trajnimit nxënësit/et janë certifikuar për ndjekjen e suksesshme të trajnimit dhe janë zotuar se do të angazhohen edhe në Klubet Teatrore në shkollat e tyre me njohuritë që i kanë marrë përgjatë këtij Kampi Artistik.
“Ky projekt organizohet nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, me përkrahjen e GIZ Kosovo në emër të Qeverisë Gjermane”