Forum Teatri

“Pa Limit”, për kreativitetin e personave me aftësi të kufizuar

5 Korrik, 2023

04.07.2023

Më 04 korrik, 2023 u mbajt premiera e shfaqjes “Pa Limit”, me aktore/ë që i përkasin grupit të personave me aftësi të veçanta. Me thjeshtësi dhe guxim ata/ato sollën ngjarje nga jeta e tyre, duke ju dhënë emocione të shumta publikut me prezantimin e tyre kreativ. 

“Pa Limit” prezantoi një ditë pushimi të përbashkët në bregdet, ku të gjithë ndihmojnë njëri-tjetrin dhe krijojnë kujtime të paharrueshme. Me mesazhin që personat me nevoja të veçanta mund të punojnë, të krijojnë vepra artistike dhe të jetojnë të pavarur, kjo shfaqje u mbyll me duartrokitje të që buronin prej empatisë që krijoi ky projekt i punuar me shumë zell nga mentorët e tyre: Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli dhe Robert Nuha, pjesë e Trupës Artistike Rezidente të Artpolis. 

Në hyrjen e Qendrës Burimore “Përparimi”, aktorët e shfaqjes nuk u kursyen të shfaqin edhe më tutje talentet e tyre, ku na dhanë mundësi të shohim punimet e tyre artistike: poezi, këngë, piktura, si dhe punimet nga argjila e druri. Të pranishmit që përcollën këtë ngjarje, u shprehën të lumtur që ishin pjesëmarrës, dhe që po hapen rrugë të reja për gjithëpërfshirje shoqërore, ku nuk mungon mirëkuptimi dhe mbështetja. 

Pjesë e shfaqjes dhe ekspozitës ishin: Fahri Krasniqi, Afërdita Haxholli, Albin Salihi, Festina Ibishi, Trimor Idrizi, Fortesë Vishesella, dhe Blerina Krasniqi.

Kjo shfaqje është realizuar nga Artpolis me mbështetje të Fondacionit Joseph Handleman “I Believe in You”, cfd, Handikos, dhe Qendrës Burimore “Përparimi”.

You may also like